Ja si komunikon mafia siçiliane, ka lidhje dhe në Shqipëri

Mediat italiane kanë zbardhur një pjesë të mirë të bisedave të një nga bosët e mafias në Itali, i cili ndodhet në arrati prej vitit 1993, ndërsa ai komunikonte me kriminelët e tjerë duke përdorur një kod të ndërtuar mbi bazën e detajeve të deleve. Pas përgjimeve, policia italiane arrestoi gjatë një operacioni blic 11 persona, që thuhet se janë të lidhur me kokën e mafias siçiliane, më të kërkuarin, Matteo Messina Denaro.

Ata thanë se Denaro ka komunikuar me bashkëpunëtorët e tij, duke përdorur copa letre të cilat liheshin në një fermë në Sicilinë perëndimore. Në mesazhet telefonike që përdoreshin për të njoftuar njerëzit i referoheshin shpesh deleve, tha policia. Zyrtarët nuk besojnë se kriminelët e dyshuar ishin duke diskutuar me të vërtetë rreth çështjeve bujqësore. “Delet duhen qethur”, “Gërshërë të mëdha duhen mprehur” dhe “bari është gati”, ishin ndër mesazhet e shkëmbyera mes mafias, tha policia.

Në një tjetër mesazh thuhej: “Kam vënë djathë, gjizë mënjanë, do vish më vonë?”. "La Stampa" tha se personat e arrestuar ishin filmuar nga policia gjatë disa muajve. "La Repubblica" tha se kamerat ishin instaluar në pemë për të filmuar. Tre prej të arrestuarve ishin mbi 70 vjeç. Denaro, kapoja i bandës mafioze ka qenë në arrati që nga viti 1993 dhe shihet si pasardhës i dy kumbarëve mafiozë tashmë në burg.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi vlerësoi hetuesit nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook, duke shtuar: “Italia është e bashkuar kundër Krimit të Organizuar”.

Autoritetet italiane dyshojnë se klani i tij i ishte shtrirë me veprimtari kriminale edhe me Australinë dhe në Ballkan, duke përfshirë Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.  

SHKARKO APP