Janullatos: Jam ndier i rrezikuar, kanë paguar shoferin të më linte në një vend të shkretë
Kryepeshkopi Anastas Janullatos rrëfen se në Shqipëri është ndier i rrezikuar për jetën e tij.
Në një intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve kishtare, ai sjell në vëmendje episode nga bisedat me shoferin, teksa i përgjigjet pyetjes nëse ka qenë i kërcënuar gjatë qëndrimit në vendin tonë.
“Po, shenjat i kemi akoma të dukshme. Më kujtohet shoferi im, Taqua i cili më thoshte se i kishin ofruar para që të më linte në një vend të shkretë. Pa ndihmën dhe forcën e Zotit, askush nuk mund të bëjë asnjë hap këtu”, deklaron kreu i kishës orthodokse në Shqipëri.
Janullatos flet për një mision jo dhe aq të lehtë në Shqipëri për shkak të dyshimeve mbi figurën e tij. Këtë ai thotë se e vërteton edhe vonesa në dhënien e shtetësisë shqiptare.
“Unë arrita të marr nënshtetësinë shqiptare vetëm para dy vitesh. Kjo nuk është e rastësishme. Kishte një shqetësim dhe një fobi të çuditshme përkundrejt meje. Pra këtu ndeshemi edhe me pranimin edhe me frikën, dyshimet dhe pasigurinë. Prandaj them që ajo çka kemi bërë këtu është dhjetëfish më e madhe, pasi nuk u bë në kushtet e një qetësie dhe lirshmërie, por u bë në një periudhë me stuhi, dëborë”, thotë Janullatos.
Kryepeshkopi Janullatos thotë se shpeshherë, përplasjet mes dy vendeve kanë rënduar mbi Kishën Ortodokse.
“Sa herë ka tensione mes dy vendeve, viktimat jemi ne. Në kuptimin që qarqet nacionaliste si nga njëra palë, ashtu dhe nga pala tjetër, godisnin në mënyrën e tyre me komentet dhe nënkuptimet e të tjera. Ndonjëherë mendoja se ndodheshim në një grykë, ku nga njëra anë ishin kallashnikovët dhe nga ana tjetër artileria e rëndë. Pa ndihmën e Zotit këtu nuk mund të bëhej asgjë”, deklaroi ai.
I pyetur për marrëdhëniet me komunitetet e tjera, Janullatos i quan ato vëllazërore, por sipas tij në Shqipëri veprojnë rryma të ndryshme që nuk e duan paqen mes komuniteteve fetare.
“Nëse ka të tjerë që duan të krijojnë çarje mes dy popujve, ne ndërtojmë ura vëllazërie. Disa ndoshta nuk do donin që gjërat të ishin kështu, të kishin këtë përqasje, do preferonin të kishte armiqësi. Ka forca edhe këtu edhe në vende të tjera që e dëshirojnë këtë. Këtu ka shumë rryma të nëndheshme me interesa të ndryshme”, deklaroi Janullatos.
Kreut të Kishës Ortodokse, agjencia i ka kushtuar edhe një dokumentar që tregon sesi Shqipëria u rilind nga hiri i ateizmit, falë veprës shpëtimtare të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.