Java e zezë e shkurtit nga Covid-19, mjekja tregon se pse u rritur numri i viktimave
Në shkurt u shënua një rritje e ndjeshme e numrit të të prekurve nga Covid-19, por edhe të vdekjeve. Nga data 22 shkurt, kur nisi edhe rritja e numrit të viktimave, u regjistruan 7685 raste të reja si dhe 150 humbje jete.
Mjekja Migena Qato, thotë se shtimi i numrit të viktimave ka ardhur kryesisht sepse pacientët shkojnë në spital kur gjendja e tyre është rënduar. ”Kam përshtypjen se një pjesë e mirë e pacientëve, praktikisht paraqiten vonë pranë shërbimit shëndetësor”,-sqaroi Qato.
Një tjetër fakt shqetësues është rritja e numrit të personave në moshë të re që po shtrohen në spitale. Tashmë kjo kategori nuk është më edhe aq imune nga kjo sëmundje pasi vetëm disa ditë më parë një 18-vjeçar humbi jetën në spitalin Covid 2 pasi mushkëritë e tij ishin 100% të prekura nga coronavirusi.
Mjekja infeksioniste e cila e ushtron detyrën pranë spitalit Covid 1, zbuloi se pacientët janë të të gjitha moshave. Sa i të rinjve me gjendje të agravuar, Qato tha se në spitalin ku ajo punon kanë pasur rikuperim dhe nuk ka pasur fatalitete.