“Je me koronavirus”! Aktorja Ema Andrea flet për telefonatën anonime: E egër dhe e ligë!
Aktorja e njohur, Ema Andrea, sqaroi në një lidhje me “Skype” për News24 telefonatën që i kishte ardhur një ditë nga një numër privat, ku i thoshte se është pozitive me koronavirus.
Aktorja Andrea dënoi ashpër rastin, duke thënë se njerëz anonimë po marrin në telefon edhe personazhe të tjera, duke iu thënë të njëjtën gjë. Sipas aktores, në këtë situatë tepër të rënduar nuk mund të bëhen të tilla shaka.
“Unë protestova për të dhënë një mësim që në të tilla situata nuk bëhet shaka. Është një shaka e papërgjegjshme dhe e egër, e ligë. Donin thjesht të bënin një humor për të kënaqur veten, nuk e di pse e bënë. Mendoj se e kanë bërë dhe me të tjerë. Mjafton të kenë një numër të një personi publik dhe e bëjnë. Unë e publikova për t’i treguar personin se kur bën një gjë të tillë duhet të presë faturën mbrapsht. Nuk shkon kjo gjë, sidomos në një situatë të tillë. Shaka të tilla të dëshpërojnë më shumë, në kohë lufte”, tha Andrea.
Çfarë thotë ky person?
Prezantohet sikur është person i personelit shëndetësor dhe thotë se ‘ke dalë pozitiv, prit të të sjellim ambulancën’. Duket që është shaka, sepse ka të qeshura nga pas. Të vjen keq se tallet me njerëz që punojnë 24 orë e lodhen, por edhe me njerëz që kanë kaluar trauma. Të gjithë janë të rënduar.
I je nënshtruar testit Covid?
Po. Por nuk përkonte me kohën kur më telefonuan. Kam qenë në kontakt me familjarë të infektuar, por unë e ruaj veten, edhe gjithë kolegët apo të afërmit e mi. E bëra për siguri, se nuk i dihet, në familje nuk ruaj dot distancën. Por dola negative. Familjarët tani e kanë kaluar dhe janë mirë.
Shfaqja “Coviveve”…
Ideja lindi nga dëshira për të ndihmuar njerëzit me aftësi ndryshe. Ne e mbështetëm këtë projekt. Është një bandë shumë simpatike, që shkon përtej artit, tek impenjimi, trajtimi me dinjitet i këtyre personave. Ky realitet nuk është se njihej në Shqipëri. Është diçka që më plotëson shumë edhe shpirtërisht.
Sa i keni ndjerë problemet e koronavirusit ju artistët?
Unë nuk jam e punësuar, por nuk besoj se artistët e kanë të lehtë këtë situatë. Unë jam përpjekur të jem një artiste e pavarur dhe sot për mua jeta e artistit nuk ka asnjë sens gjeografik. Në këtë situatë jeta e artistit kudo në botë është e disbalancuar. Situata e artistëve është e rënduar në të gjitha krahët, por nga diferenca e institucioneve, që nuk japin asnjë shenjë.