Jehona e botimit në shqip nga Fan Noli të “Skënderbeut” të Henry Longfellowit

Më 8 shtator 1918 Fan Noli ishte ftuar në Camp Devens për një takim me djemtë shqiptarë në uniformë amerikane që ishin përgatitur të nisen në frontet e Luftës së Parë Botërore. Fan Noli mban një fjalim shumë domethënës para këtyre shqiptaro-amerikanëve të rinj. Dhe kush mund të ishte më i mirë se Skënderbeu brenda një fjalimi motivues për shqiptarët e rinj

Fan S. Noli pra, në betejat e shumta patriotike që do të hynte, donte të ishte sa më pranë kryekolosit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një kalorës i tij. Dhe Noli, edhe para se ta botonte shqip poemën e Longfellowit, edhe në shkrimet e fjalimet e veta, e përmend Skënderbeun si modelin e patriotizmit, të cilin duhet ta kenë shqiptarët për frymëzim. Por, “Skënderbeu” i Henry Longfellowit ishte një nga gjetjet e mrekullueshme të Nolit

Qysh në vitin 1968, kur doli kompleti i parë i veprave të Fan S. Nolit (Rilindja, Prishtinë), brenda edhe Autobiografia e tij e përkthyer nga anglishtja, ne, gjeneratat që po rritnim hovshëm numrin e lexuesve të botimeve shqipe, mësuam se familja e Theofan Stilian Nolit, ani se me shekuj e shkëputur nga trungu mëmëdhetar, kishte jetuar edhe me kujtesën dhe frymën e Skënderbeut brez pas brezi dhe këtë ai, në një kapitull më vete, e quan Edukimi shqiptar. Madje shkruan që Xhaxha Tasi i tij, që kishte bibliotekë shumë të pasur, për pushimet e gjimnazit, i kishte dhënë Theofanit të ri për lexim Dhiatën e Re, përkthim shqip nga Konstantin Kristoforidhi, dhe një botim të ilustruar të “Historisë së Skënderbeut” greqisht. Dhe kur bisedojnë për librat Xhaxha Tasi i thotë: “Sa herë ke për të marrë një vendim, pyet veten – Çfarë do të bënte Krishti në këtë rast, ose – Çfarë do të bënte Skënderbeu? Sepse ai ishte shqiptar dhe do të bënte atë që i intereson Shqipërisë dhe popullit shqiptar.”

Fan S. Noli pra, në betejat e shumta patriotike që do të hynte, donte të ishte sa më pranë kryekolosit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si një kalorës i tij. Dhe Noli, edhe para se ta botonte shqip poemën e Longfellowit, edhe në shkrimet e fjalimet e veta, e përmend Skënderbeun si modelin e patriotizmit, të cilin duhet ta kenë shqiptarët për frymëzim. Por, “Skënderbeu” i Longfellowit ishte një nga gjetjet e mrekullueshme të Nolit, siç shkruan Nasho Jorgaqi në studimin e thelluar dyvëllimësh “Jeta e Fan S. Nolit”, (Tiranë, Omega, 2005). “Vetëm atij i kish shkuar mendja të zbulonte e t’u jepte bashkatdhetarëve poemën për heroin e tyre kombëtar, të shkruar nga njëri prej klasikëve të letërsisë amerikane. A nuk ishte kjo një dëshmi që Noli u jepte në dorë shqiptarëve për t’u krenuar në mes të Amerikës? Kjo është arsyeja që “Skënderbeu” u prit me entuziazëm nga lexuesit, të cilët e ndienin shpirtërisht më afër se çdo vepër tjetër.” N. Jorgaqi shton se, për Nolin, liderin dhe propagandistin e shquar, “Skënderbeu” do të kthehej në një libër xhepi që e merrte kudo që fliste për çështjen shqiptare, dhe Noli kërkonte nga shqiptarët që jo vetëm ta blejnë dhe ta lexojnë “po duhet dhe ta mësojnë pa kartë…sidomos djemuria”. Edhe shtypi e vlerësoi lart mjeshtërinë e shqipërimit “në një gjuhë burrërishte”, që ngjallte “trimërinë tonë kombëtare, duke ngritur kështu një statujë e njëkohësisht një pikturë të lëvizur”.

Në shumë qytete me mërgatë shqiptare, sipas N. Jorgaqit, Noli organizon konferenca letrare ku, pos tjerash, “reciton plot pathos e mjeshtri edhe vargjet e Longfellout, si një aktor i fuqishëm, që pushtonte sallat e mbushura plot me shqiptarë”.

“Skënderbeu” i Henry Longfellowit ishte një nga gjetjet e mrekullueshme të Nolit që e përktheu edhe e botoi atë më 1916 në Boston

 

Një fjalim i Nolit dhe “Skënderbeu” i Longfellowit

Më 8 shtator 1918, Fan Noli ishte ftuar në Camp Devens për një takim me djemtë shqiptarë në uniformë amerikane që ishin përgatitur të nisen në frontet e Luftës së Parë Botërore. Fan Noli mban një fjalim shumë domethënës para këtyre shqiptaro-amerikanëve të rinj. Dhe kush mund të ishte më i mirë se Skënderbeu brenda një fjalimi motivues për shqiptarët e rinj. Fjalimi për citimet këtu është marrë nga libri “Noli i panjohur”, i autorit Efthim Dodona, Botimet Enciklopedike, Tiranë, 1996.
“..Në radhë të parë më lejoni t’ju falënderoj për ftesën që më keni bërë dhe të ju them se sa krenar ndihem t’ju drejtohem juve, ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare… Shqipëria i detyrohet një borxh të jashtëzakonshëm Amerikës, për përftimet që ka pasur në të shkuarën nëpërmjet atyre djemve të saj që kanë emigruar dhe kanë gjetur këtu strehim […] Shqiptarët kanë filluar të vijnë në Amerikë kur Atdheu i tyre ishte akoma një provincë turke. Ata po iknin nga keqqeverisja e Turqisë, nga zija e bukës, shtypja, pengesat fetare dhe dëshpërimi… Në Shqipëri, gjatë regjimit turk nuk lejohej të botohej asnjë gjë në shqip. Dhe ne erdhëm këtu dhe botuam të gjitha librat dhe gazetat dhe themeluam kisha dhe shoqata, aq sa patëm nevojë. Kështu, e vetmja gazetë e përditshme shqiptare në botë, ‘Dielli’ është botuar në Boston, e para kishë shqiptare ku fjala e Zotit mund të predikohej në gjuhën amtare, siç bëri Shën Pali shekuj më parë në shtëpinë tonë të lashtë ilire, u themelua këtu në Amerikë, dhe organizata shqiptare më e madhe dhe më e rëndësishme në botë, Federta jonë ‘Vatra’, ka selinë kryesore në Boston. Dhe ju të gjithë e dini që në saje të përhapjes së gjerë të shqiptarëve të Amerikës, Shqipërisë iu garantua pavarësia në Konferencën e Londrës më 1913. Si mund t’ia paguajmë këtë borxh Amerikës?

Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare dhe duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore. …Presidenti Uilson i deklaroi botës që e dëgjonte: ‘Çdo popull do të ketë të drejtën të zgjedhë pavarësinë në të cilën ata do të jetojnë’. Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh, që tani është bërë orakull i njerëzve të vuajtur. Ishte dita e Pavarësisë kur përfaqësuesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Uilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflower gjatë pelegrinazhit që u bë në varrin e Xhorxh Uashingtonit në malin Vemon. Gjatë kthimit nga mali Vemon unë si një lutës i përulur iu afrova këtij njeriu të shquar të kohëve moderne dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i kthejë atij bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigja e tij fisnike ishte: ‘Unë kam një votë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë’ (…) Djemtë shqiptarë që luftojnë në Francë po bëjnë detyrën si të tjerët. Ju po bëni detyrën tuaj dhe do ta bëni atë më mirë kur të shkoni atje dhe të përziheni me ta. Të tjerë shqiptarë do t’ju ndjekin së shpejti, sepse secili dhe të gjithë duhet të kryejnë plotësisht pjesën e tyre.

Ky është i vetmi shans yni për t’ia shpërblyer Amerikës. Dhe çfarë shansi? Dhe ç’kombinim i shkëlqyer i shanseve? Çështja është e madhe, e drejtë dhe e shenjtë, është çështje e lirisë dhe e qytetërimit kundër barbarisë dhe autokracisë. Është një kryqëzatë si ajo e heroit tonë të madh, Mbretit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, të cilin një historian e ka përshkruar ‘shënjtor’ si Shën Luigji i Francës, diplomat si Talejrani dhe gjeneral si Aleksandri i Madh.

Ai u caktua nga papa Piu II, kryekapedan i tërë ushtrive kristiane të Evropës. Luftoi për një çerek shekulli kundër mizërive turke. I mundi në më shumë se 20 beteja, dy prej sulltanëve më të mëdhenj të Turqisë, që ajo ka nxjerrë ndonjëherë, siç ishin sulltan Murati dhe sulltan Muhameti, pushtuesit e Konstantinopojës. Shpëtoi Evropën nga tmerret e pushtimit aziatik në shekullin 15-të. Ka një vjershë të poetit amerikan Henri Uedworth Longfellou në ‘Tregimet e një hani anës rrugës’”, dhe Noli po aty ua lexon një fragment frymëzues të poemës:

Nga kështjella shpejt ka rënë    Anon from the castle walls
Flamuri me gjysmëhënë        The crescent banner falls,
Edhe populli shikon            And the crowd beholds instead,    
Që në vent të tij valon        Like a portent in the sky,
Flamur i Skënderit n’erë.        Iskander’s banner fly, 
Shkab’e zezë me dy krerë.        The Black Eagle with double head;
Dhe një thirrje lart u ngrit,        And a shout ascends on high, 
Se çdo zemër e çdo shpirt        For men’s are tired of the Turks,
U mërzit nga Turku i lik,        And their wicked ways and works,
Q’e kish bërë atë Krujë        That have made of Ak-Hisar
Zi, murtajë dhe rrëmujë,        A city of the plague;
Ay zë me gas, me bujë,        And the loud, exultant cry
Q’oshëtin nga breg në breg,    That echoes wide and far
Është: “Rrofsh’o Skanderbeg”…    Is: “Long live Scanderbeg”… 

Vargjeve në shqip, të botuara brenda fjalimit të Fan Nolit, mbajtur përpara djemve shqiptarë që po niseshin për në Evropë në frontet e Luftës së Parë Botërore, ia shtova edhe vargjet e origjinalit, që lexuesi eventual të kënaqet me madhështinë e shqipërimit. Dhe, po ta kapërcejmë pjesën e fjalimit që i jep erë morti atij çasti të rëndësishëm, kur e përmend shërbesën përkujtimore që kishin dhënë ato ditë në Kishën e Bostonit për djemtë shqiptarë që vdiqën për Amerikën, që i kanë varret e tyre të errëta diku në Francë, të shënuar me ndonjë kryq të vetmuar, fjalimi njëmend është një mjeshtri e oratorisë, me zjarr të pashoq patriotik. Edhe një citim nga fjalimi:

“Skënderbeu luftoi atëherë betejën e krishtërimit dhe të qytetërimit evropian kundër barbarisë dhe paganizmit, ashtu siç po bën Amerika dhe aleatët e saj sot. Shpirti i tij do të gëzohej po të na shihte që ne po bëjmë detyrën tonë në këtë çështje të madhe, e cila në fund të fundit është gjithashtu edhe çështja e Shqipërisë. Duke ndihmuar Amerikën që të fitojë, ne ndihmojmë Shqipërinë që të çlirohet…”

Koha.net

SHKARKO APP