“Jemi rritur me Erion Braçen, të vijë të na shikojë”, 150 banorë në Kombinat jashtë në të ftohtë

Ashtu sikurse është raportuar, edhe në kryeqytet disa pallate janë bërë të pabanueshme ndërsa kamera e Fax News ka mbërritur në zonën e Kombinatit, ku ka marrë prononncime nga banorët e një pallati të cilit i është vendosur shirit i kuq pasi është konsideruar si pabanueshëm.

Banorët shprehen se për 150 persona është dhënë vetëm një çadër brenda të cilës mezi sistemojnë fëmijët ndërsa e konsiderojnë situatën si tepër emergjente.

Njëra nga banoret është shprehur se zv/kryeministri Erion Braçe është rritur në këtë pallat, ndërsa i adresohet për të gjetur një zgjidhje.

“I bëjmë thirrje Erion Braçes të vijë të na shikojë, jemi në të njëjtën lagje me të, në këtë pallat jetonte edhe ai, jemi rritur me të. Nuk kemi asnjë lloj ndihme, fëmijët i kemi mbajtur në makina, në çadra çfarë të mundemi”, tha njëra nga banoret.

“Dje erdhën vendosën shiritat dhe thanë se nuk janë të banueshme por nuk janë dukur më të na thonë se në ç’shkallë janë të dëmtuar që të gjejmë ndonjë shtëpi me qera. Vetëm një çadër është ofruar. Deri më sot edhe janë strehuar tek njerëzit e vet, ndërsa sot janë rikthyer të gjithë banorët. Policia nuk na ka lënë të futemi as brenda të marrim gjërat më të vlefshme. Duhet të na thonë se ky pallat duhet shembur, rindërtuar apo çfarë do të bëhet me të. Nuk ka pasur asnjë reagim as nga kryebashkiaku, as nga zëvendësmkryeministri që jetonte në këtë pallat as nga deputetja e zonës”, tha një banor për Fax News.

“Muret ndarës kanë rënë, tullat janë çarë, edhe një tërmet tjetër dhe rrezikojmë jetën. Kemi fjetur në makinë e nëpër çadra, edhe tek të afërmit por nuk mund të qëndrojmë aty gjithmonë. Nuk jemi të pasur por çdo njeri i ka brenda 5 milionë lekë plaçka na shkojnë dëm nëse shembet pallati. S’ka ardhur askush të na thotë diçka, të marrë drejtim të paktën si çështje. Nuk mund të rrimë jashtë se është dimër. Kam gocën me kollë 3 vjeçe sapo e kam nxjerr nga spitali, po shkojmë në azil në Gjermani e po jepen zgjidhje jo më për 100 banorë që jemi këtu. Kushte ekstreme, jemi lagur mbrëmë në shi, u thamë me tharëse flokësh. Rreth 150 banorë janë jashtë të gjithë”, tha një tjetër banor.

SHKARKO APP