Jepet alarmi për sonte dhe nesër: Shira dhe stuhi të forta, mos dilni nga shtëpitë. Evitoni lëvizjet me makina
Meteorologia Lajda Porja në një intervistë për TCH është shprehur se reshjet e shiut do të jenë të pranishme deri në mesin e javës tjetër. Por sonte dhe nesër do të jenë orë të vështira për vendin. Ndërkohë disa bashki kanë lëshuar sinjalin e alarmit duke lajmëruar qytetarët të mos dalin nga shtëpitë.
Shtabet e emergjencës janë në gadishmeri. OSHEE ka ngritur gjithë punonjësit në punë pasi parashikohen ndërprerje dritash nga stuhia. Po kështu aeroporti në Rinas po merr masa për avionët që do të ulen në momentin e stuhisë me erë të fortë.
“Shira intensivë dhe me rrebeshe e stuhi të forta priten sot gjatë natës dhe pothuajse gjithë dita e diel. Po e përsëris: do të ketë rrebeshe dhe stuhi të forta ere. Reshjet do të jenë të pranishme deri në mesin e javës që vjen. Me përfundimin e këtij episodi që zgjat deri të enjten, kur pritet edhe ndërprerja e reshjeve, do të bien afërsisht në zonat malore rreth 200 milimetra shi më shumë, në zonat qendrore rreth 120 milimetra dhe në zonat jugore 150 milimetra.
Kjo do të bëjë, nëse do të kryenim një analizë mujore, të kemi mesatarisht 2-fishin e reshjeve që duhet të bien, ku më problematike, ose reshje më të dendura priten sërish në zonat veriore duke ndryshuar përfundimisht dhe në mënyrë të menjëhershme dhe situatën në kaskada nga prurjet, kjo edhe për shkak se gjatë gjithë këtyre ditëve reshje të dendura ka patur Mali i Zi, gjë e cila i shërben dhe ushqen zona veri dhe verilindore ku duhet të bien reshjet. Me ndërprerjen e reshjeve do të kemi edhe mëngjese pak më të ftohta dhe nëse bëjmë një analize, nëntori mbyllet me temperature mesatare shumëvjeçare dhe reshjet jo vetëm bien sa norma, por tejkalohen pothuaj në gjithë territorin shqiptar. Kjo ka dy anë të medaljes.
Së pari reshjet ndryshojnë për mirë situatën në kaskada dhe ndihmojnë Koorporatën Energjitike KESH, por pritet që të kemi përmbytje në disa zona të Ultësirës Perëndimore. Sidomos këto probleme do të raportohen menjëherë pas ditës së diel, për shkak të shirave të dendur”, tha ajo për Top Channel.
Ndërkohë është lëshuar alarmi i kuq për disa zona në vend.