“Jeta” bashkoi në Korçë gratë e diasporës

Nga Fatime Menalla – Organizata “Jeta” Greqi zhvilloi në qytetin e bukur të Korçës Konferencën e Tretë të Gruas me temë “Roli i gruas në Diasporë: kthimi në Atdhe, sfidat dhe perspektivat”. Ky aktivitet, që u zhvillua në ambientet e Grand Hotel në Korçë, mblodhi së bashku rreth 200 gra nga vende të ndryshme të Greqisë dhe Shqipërisë, pedagoge, studiuese, drejtore, gazetare, shkrimtare, avokate, farmaciste, studente, biznesmene, përfaqësuese të institucioneve publike dhe private, përfaqësues të shoqërisë civile, por dhe gra emigrante që me mundin dhe djersën e tyre, kanë arritur të ndërtojnë jetën e tyre në vend të huaj. U diskutuan tema të ndryshme, u ngritën probleme, u prezantuan histori suksesi, mundi dhe sakrificash, por mbi të gjitha u krijua një atmosferë e ngrohtë familjare, ku cdonjera prej nesh gjeti pak nga vetja e saj në fjalimet e mbajtura.

Më shumë se një bashkëpunim

Ishte ideja e pedagoges Sorina Koti, që konferenca e tretë të mbahej në Korçë. Një inisiativë që gjeti mbështetjen e bordit drejtues të “Jetës” dhe u bë realitet. Kjo grua inteligjente ka qenë gjithmonë pjesë e aktiviteteve të organizatës sonë duke mbështetur me prezencën dhe fjalën e saj dy konferencat e mëparshme të zhvilluara në Athinë dhe Selanik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Konferenca e Tretë e Gruas, u zhvillua edhe me mbështetjen e Konsullatës Shqiptare në Selanik dhe kreut të saj, znj. Pavlina Evro Ylli, të cilën e falënderojmë publikisht jo vetëm për pjesëmarrjen e saj në konferencat e “Jetës”, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme që i ka ofruar organizatës sonë duke qenë gjithmonë pranë nesh.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pjesë e kësaj konference ishin edhe përfaqësueset e Ministrit të Shtetit për Diasporën, konkretisht Sonila Kosova, Drejtore për Diasporën, pranë Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Soana Jaupllari, Drejtore ekzekutive pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporën, të cilat në fjalën e tyre përshëndetëse, veç të tjerash, ofruan mbështetje të plotë të institucioneve që drejtojnë për gratë e diasporës.

Një meritë të vecantë për organizimin e kësaj konference ka drejtori i fondacionit “ACGG”, z. Arben Cejku me grupin e tij të punës dhe mbështetja e tij u duk që nga fillimi deri në përfundim të conferences.

 

Seanca e përshendetjeve

 

Konferencën e tretë të gruas e përshëndetën veç të tjerash pedagogu Arjan Kallco, njëkohësisht Ambasador për Shqipërinë i Akademisë “Universum” me qendër në Zvicër, aktivistja nga Selaniku Irini Nikolla, ish-kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi z. Etmond Guri, presidenti i shoqatës “Zëri i emigrantit” z. Ilir Jano, si dhe znj. Albana Cakshiri, presidente e agjensise “Albania Event Production”.

 

Mesazhe pozitive, histori mundi, sakrificash, suksesi

 

Konferenca filloi natyrshëm me znj. Elona Kataro, presidenten e organizatës “Jeta” që prezantoi kryetaret e degëve të organizatës, Anila Shehu (Athinë), Iris Balli Hajdinaj (Selanik), Afrodhiti Triha (Patra) dhe Resmie Cota (Veria), të cilat janë pasqyra e “Jetës” në gjithë Greqinë, duke vazhduar më pas me pasqyrimin e aktiviteteve te organizatës nga dy kryetaret e Athinës dhe Selanikut, të shoqëruar me fotografi.

Në vazhdim, nën drejtimin e moderatores Zamira Pengu Pilinci, konferenca vazhdoi me referimin e dhjetëra temave të ndryshme që preknin aspekte të shumëllojshëmrisë së rolit të gruas sipas këndvështrime të ndryshme në shoqërinë tonë. Një analizë të gruas emigrante e pasqyroi shumë bukur kryetarja e Patras, znj. Afrodhiti Triha duke u duartrokitur gjatë, ndërsa emocione për kthimin në atdhe na përcolli aktivistja nga Selaniku, Keti Toromani. Mesazhe të bukura përcollën znj. Lindita Grabocka, drejtoreshë e shkollës “Faik Konica” në Korçë, farmacistja e nderuar zj. Elda Zavalani, koordinatore Projekti tek Fondacionit “Dorcas” znj. Viola Bogdani, avokatja Aida Mitace, si dhe kryetarja e shoqatës “Unë gruaja” Pogradec, znj. Afroviti Gusho. Zëri i rinisë u dëgjua nga kryetarja e Keshillit Studentor Korce znj. Ismeralda Seidolli.

Eksperiencën e mësimdhënies të gjuhës shqipe tek fëmijët e emigrantëve na e përcollën mësueset e palodhura të gjuhës shqipe Lefteri Metkaj (anëtare bordi “Jeta” Athinë), Aurela Konduri (shoqata “Nënë Tereza”, Selanik) si dhe Celestina Mema (Mësuese e gjuhës shqipe, “Jeta” Athinë) të cilat meritojnë një vlerësim të madh për misionin e tyre fisnik.

Me interes u dëgjua fjala e znj. Jorida Dhëmbi, drejtore e e bibliotekës për fëmijë “Thimi Mitko”, Korçë, por edhe historitë e përpjekjeve, sakrificave dhe suksesit që përcollën panelistet e tjera, si Mirela Hoxha (Farmaciste, anëtare e bordit “Jeta” Athinë), Mimoza Lepuri (Biznesmene, nënkryetare e “Jetës”, Athinë), Majlinda Zhuleku (Drejtore menaxhuese e UDS në Ministrinë e Shëndetësisë në kontrollin elektronik të farmacive të Greqisë) dhe Irma Zaka (Mësuese gjuhë – letërsie, Athinë).

Majlinda Cano, përfaqësuese e departamentit të së drejtave të gruas, “Jeta” Selanik foli për rolin e gruas dhe të drejtat e saj në shoqëri, ndërsa znj. Vasilika Sakaj, nënkryetare e Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, mes emocionesh përcolli edhe mbresat e saj si soliste e grupit polifonik “Vllazërimi”.

Për gruan foli edhe shkrimtarja korcare Elona Gjergo (kryetare e shoqatës “Korça” Greqi), e cila ka një meritë të veçantë në organizimin e këtij aktiviteti.

Një falënderim i veçantë shkon për mësuesen e matematikës, korçaren Violeta Gusho Bello, e cila luajti një rol të madh gjatë gjithë aktivitetit, por edhe për aktivisten e përkushtuar Lefteri Metkaj.. Por një falënderim shkon edhe për të gjitha ato gra që u bënë bashkëudhëtare të kësaj nisme, duke ardhur nga shumë vende të Greqisë si Athina, Selaniku, Patra, Korinthi, Veria, por edhe nga Shqipëria (Tirana, Fieri, Lezha, Shkodra, Vlora, Berati, Pogradeci)  për të qenë pjesë e konferencës. Mes tyre edhe dy këngëtaret tona Teuta Zhapa dhe Donika Pecallari, por edhe dy grupet e valleve, të kryesuara nga Silvana Gjosasi dhe Margarita Evangjelu, të cilat na shoqërojnë kudo, sepse siç kishim theksuar edhe më parë, më 16 mars të gjitha rrugët na conin në Korçë.

 

“Mëso shqip që në djep”, projekti më i ri

 

Është pikërisht gruaja ajo që edukon brezat, ndaj dhe presidentja Elona Kataro, në fund të konferencës paraqiti për të pranishmit projektin më të ri të “Jetës”, titulluar “Mëso shqip që në djep”. “Është një projekt për të ndihmuar nënat që me përralla, ninulla dhe metoda të tjera t’u mësojnë gjuhën e bukur shqipe fëmijëve parashkollorë. Dhe ku më mirë se Korça, mund të gjenim për të lancuar projektin tonë, tek Korça e dijes, ku u çel “Mësonjtorja” e parë! Ku më mirë se në një konferencë gruaje, sepse për gjuhën e nënës bëhet fjalë”, tha ndër të tjera ajo.

 

Një konferencë ndërkombëtare, me gruan në epiqendër

 

Konferenca e Gruas është një platformë që u organizua për herën e tretë radhazi dhe siç u shpreh dhe bashkëorganizatorja Sorina Koti, tashmë ka marrë karakter ndërkombëtar pasi lidhi gratë e disasporës që jetojnë në dy shtete. Konkluzionet e kësaj konference do t’i bëjmë publike së shpejti, pas nxjerrjes së përfundimeve të komisionit përzgjedhës, ndërkohë që së shpejti do të publikojmë edhe fjalime që u mbajtën gjatë konferencës në Korçë.

Ardhja në Korçë kishte si mision të krijojë ura të reja miqësie dhe bashkëpunimi me ente dhe organizata simotra që aderojnë në atdhe. Por edhe për të përcjellë mesazhin se ne jemi këtu, me problemet tona, por edhe me shumë histori suksesi. Femra asnjëherë nuk ka qenë problemi dhe nuk duhet parë si e tillë, por si lidere e vërtetë në çdo aspket të jetës, eshte e gatshme për të thyer barriera dhe të sfidojë stereotipe. Femrat janë arkitektet e familjes, e shoqërisë dhe si të tilla duan vëmendje dhe përkrahje. “Ndaj zëri im bëhet më i fuqishëm kur bashkohet me zërin e mbi 1000 anëtarëve të organizatës sonë. “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, ka thënë e madhja Nënë Tereza, por sa shumë dashuri vendosim në të”. Ndaj mbushuni me dashuri e mirësi dhe bëhuni pjesë e familjes së madhe të “Jetës”!”, ishte një nga mesazhet e shumta të kësaj konference.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?