Jeta mes dronëve dhe raketave në Dubai, ish-deputetja Shkjau: E vështirë për fëmijët, rinisën fluturimet
Sulmet e deritanishme të Iranit, mbi Emiratet e Bashkuara Arabe kanë shënuar 68 persona të plagosur dhe 3 humbje jete. Ish-deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau prej tetë vitesh jeton në Dubai e angazhuar në disa projekte në fushën e teknologjisë.
“Fëmijët nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, po zhvillojnë mësimin në distancë. Të gjitha qendrat tregtare, të gjitha restorantet, korrierët çdo gjë është normale. Ka patur shumë goditje të përqendruara më së shumti në Emiratet e Bashkuara. Nga ana emocionale natyrisht ne si banues në këtë vend patjetër që jemi ndikuar, patjetër që nuk është e lehtë ti shpjegosh fëmijës tënd se çfarë po ndodh”, tha ajo.
Për situatën e papritur të atjeshme Esmeralda Shkjau jep këtë koment. “Të gjithë jemi dëshmitar të sulmeve pasi kemi dëgjuar zhurmat shumë të mëdha dhe shumë shqetësuese por kanë mbetur aty si zhurma pasi falë Zotit nuk ka pasur dëme në zonat rezidenciale. Pra kemi parë fragmente të interceptimit ose neutralizimit të raketave ku i kemi parë si re të vogla në qiell por kaq”, u shpreh Esmeralda Shkjau.
Ish-deputetja tregon edhe përditësimet më të fundit të qeverisë atje për qytetarët në një kohë kur deri më tani kanë neutralizuar 148 dronë, 9 raketa balistike dhe 6 të tjera cruise të telekomanduara lëshuar nga Irani. “Ka patur komunikime sidomos nga shkëlqesia e saj ministria Rimel Hashimi. Është thënë disa herë për ulje tensioni i cili është hapi i parë dhe i preferuar nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara”. Ndërsa për rinisjen e fluturimeve prej aeroportit të Dubait zonja Shkau tregon.
“Kanë filluar 80 fluturime dhe janë për tu imbarkuar mbi 27.000 udhëtar. Inshalla falë Zotit është edhe një muaj i bekuar siç është muaji Ramazanit dhe besoj do të sjellë paqe dhe mbi të gjitha pjekuri sepse momentin që humbasim qetësinë dhe momentin që na kap paniku atëherë bëjmë edhe lëvizje të gabuara”. /TCH/
KOHA JONË SONDAZH

