Jo pjesë e garës për Këshillin Kombëtar të PD, Hajdarmataj: Kam mision kryesor fuqizimin e gruas
Kuvendi Kombëtar i PD-së, do të zgjedhë këtë të shtunë Këshillin Kombëtar të forcës më të madhe politike në opozitë. Lidhur me këtë, ish-deputetja e PD-së, Mimoza Hajdarmataj përmes një postimi në facebook, ka bërë të ditur qëndrimin se pse nuk është pjesë e garës me 350 kandidatë për Këshillim Kombëtar të PD-së.
Hajdarmataj nuk u përfshi në listat e PD-së në zgjedhjet e 2017 dhe prej një viti ajo ka marrë drejtimin e Qendrës ”Gratë në Shërbim Publik”.”Për mua”, thotë Hajdarmataj, ”ka rëndësi misioni në ndihmë të gruas dhe vajzave shqiptare, me një përkushtim dhe vullnet me kohë të plotë dhe dëshirë shumë të madhe”.
Në facebook, ish-deputetja thkeson qartë qëllimin se për të ka rëndësi primare kauza dhe jo vullneti politik. ”Të drejtat dhe promovimi i grave është një kauzë për të gjithë shoqërinë dhe mbi të gjitha për çdo qeveri apo subjekt politik”,-shkruan Hajdarmataj në facebook.
Sigurisht që mes 350 kandidatëve për një vend në Këshillim Kombëtar të PD-së, ajo mbështet gratë dhe vajzat. ”Me moton “gratë e fuqishme, fuqizojnë gratë e tjera” vota ime sot do shkojë më së shumti për gratë dhe vajzat në listë”.
Postimi i plotë
Të dashur miq,
Kolegë të mi, dhjetoristë të viteve ’90, bashkëthemelues të PD, anëtarë të Këshillit Kombëtar të deri tanishëm!
Të nderuar anëtarë të strukturave të PD!
Siç shumë prej jush jeni në dijeni, prej pothuajse një viti po drejtoj Qendrën “Gratë në Shërbim Publik”, me mision kryesor fuqizimin e grave dhe vajzave për t’u bërë pjesë e shërbimit publik në të gjitha hallkat e tij.
Për shkak të këtij angazhimi të ri në shoqërinë civile, një mision sa i rëndësishëm aq edhe i dobishëm, i kam paraqitur kërkesën, Z.Lulzim Basha për të mos kandiduar më për forumin më të lartë të PD-së, siç është Këshilli Kombëtar.
Kam ndërmarrë këtë hap, në respekt të normave dhe parimeve që duhet të funksionojë ky sektor, i cili për mua do të thotë një përkushtim dhe vullnet me kohë të plotë dhe dëshirë shumë të madhe.
Të drejtat dhe promovimi i grave është një kauzë për të gjithë shoqërinë dhe mbi të gjitha për çdo qeveri apo subjekt politik. Duke i uruar shumë suksese anëtarëve të zgjedhur e të rizgjedhur, Kryetarit Basha dhe çdo strukturë, rikonfirmoj se mbështetja ime për PD është e pakushtëzuar. PD-ja nuk është thjesht Opozita por vatra ku u rindez shpirti për Liri dhe Demokraci i shqiptarëve.
P.S. me moton “gratë e fuqishme, fuqizojnë gratë e tjera” vota ime sot do shkojë më së shumti për gratë dhe vajzat në listë.
KOHA JONË SONDAZH

