Jo ulje të tarifave, rektori Hoxha: Studenti duhet ta shoh Universitetin si një të mirë të përbashkët
Nuk do të ketë ulje tarifash për studentët qoftë për ciklin e studimeve Bachelor apo edhe për atë Master. Kështu është shprehur rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, pasi për të studentët duhet ta shohin Universitetin si një të mirë të përbashkët, jo si një institucion që duhet të ulë tarifat.
“Kemi pasur pyetje nga studentët shqetësimin për tarifat. Ne i kemi analizuar shpenzimet tona dhe na referon që kemi një ulje me 1.5% afërsisht, gjë e cila është mjaft minimale. Kemi paguar rregullisht çdo tarifë për ujin, dritat dhe shërbimet në Universitete.
Mos harroni që kjo tarifë është vetëm 200-300 mijë lekë të vjetra dhe një pjesë e studentëve ekselentë ka tarifë të përgjysmuar, po ashtu dhe kategoritë në nevojë. Studenti duhet ta shoh Universitetin si një të mirë të përbashkët, jo si një institucion që duhet të ulë tarifat.
70% të studentët ne e kemi nga rrethet dhe për këta ka pasur më pak shpenzime pasi kanë ndjekur mësimin online. Tarifat e masterit po ashtu janë rreth 600 mijë deri në 1 milion apo 1.2 milionë lekë, janë tarifa të përballueshme”, u shpreh Hoxha.
Pak ditë më parë, studentët i dërguan një letër ministres së Arsimit, Evis Kushi. Studentët e Ekonomikut kanë reaguar në lidhje me mandat-pagesat e tarifave të studimit, që për ta është një njoftim i nxituar dhe i pakonsultuar për mundësinë e rishikimit të tarifave të studimit. ”Nisur nga kushtet në të cilat shkoi ky vit mësimor, ne e shohim të udhës që tarifat e studimit të të dyja cikleve të studimit Bachelor dhe Master të përgjysmohen pa dallim për të gjithë studentët”.