Jonila Godole: Rinia i hapi rrugën historisë së re

(Botuar me 8 Dhjetor 1995 në KOHA JONE)

5 vjet më parë një lëvizje studentore përmbysi komunizmin duke aspiruar për një jetë të re, pa diktat dhe terror. Ishin pikërisht ai grup djemsh e vajzash të Dhjetorit të 90 që i hapën rrugën vendosjes së pluralizmit dhe të një sistemi të ri demokratiko-parlamentar në Shqipëri. Shumë prej tyre nuk ndodhen aktualisht këtu, disa të larguar pak muaj pas lëvizjes e të tjerë kohë më pas, me bindjen se vrulli, shkopinjtë e gomës dhe netët pa gjumë, ato javë Dhjetori kishin qenë mbase thjesht eufori. Megjithatë, ish studentët e atëhershëm arritën atë që akush nuk guxoi ta bënte për mëse 50 vjet diktaturë, edhe pse lëvizjen e tyre forca të caktuara politike përpiqen ta politizojnë. Merita është vetëm e tyre… Në kuadër të 5 vjetorit të kësaj lëvizje të Dhjetorit 90 ne intervistuam zotërinjtë Azem Hajdari, Blendi Fevziun dhe Akli Fundo si disa prej organizatorëvë të këtyre ngjarjeve si dhe Ramiz Alia si President i Shqipërisë në atë periudhë.

Cfarë përfaqëson 8 Dhjetori për protagonistët kryesorë të tij?

Pas 5 vjetësh a janë plotësuar aspiratat e “plangprishësve” të Dhjetorit?

Azem Hajdari

1-8 Dhjetori shënon fillimin e një jete të re politike. Duke u  nisur nga pozitat retrospektive të asaj kohe, kjo lëvizje bëri atë që unë për 5 vjet të përshkoja një rrugë, për të cilën besoj se rrugëdalja do të jetë tepër e vështirë. Në planin e një lëvizjeje studentore 8 Dhjetori më kujton preludin e demokracisë shqiptare. Është një nga lëvizjet studentore më të suksesshme të këtij lloji në botë. Po t’i referohemi lëvizjeve studentore në Francë, Jugosllavi etj. do të shohim se lëvizja jonë ishte një hap konkret, që kapërceu mediokritetin e kohës dhe shtroi alternativa të reja për të ardhmen e vendit tonë. Ajo kurorëzoi me sukses shembjen e komunizmit në Shqipëri, arriti të grumbullojë të gjithë studentët shqiptare rreth një ideje, rrëzimit të komunizmit dhe përcuarjen e ideve më progresive për Shqipërinë dhe fatet e saj. Pra kjo ishte lëvizje që i hapi rrugën historisë së re të Shqipërisë. 11 kërkesat që parashtroi lëvizja studentore në atë periudhë, lidhjet shpirtërore mes studentëve, guximi qytetar i tyre, dalja para tankeve dhe durimi mbi shpinë i shkopinjve të gomës, dashuria dhe mbështetja e madhe e popullit të Tiranës dhe atij të Shqipërisë në përgjithësi, tregoi se kombi ynë është komb vital dhe me shumë shpresa.  Si promotor i këtyre zhvillimeve ajo në një kohë relativisht të shkurtër, arriti që brenda 4 ditëve të sanksiononte një Shqipëri të re, pra nënshtrimin e PD dhe lidershipit të saj; theu mitin e diktaturës në Shqipëri dhe të një administrate mediokre që ishte ndërtuar nga komunistët. Ajo koperativizoi gjithë strukturën shoqërore që ishte ndërtuar në Shqipëri, krijoi jetën e re dhe sanksionoi përfundimisht në Shqipëri pluralizmin politik dhe formën e regjimit demokratiko-parlamentar.

2-Lëvizja studentore në Shqipëri realizoi ato fitore që janë në fakt vetëm fitore të kësaj lëvizje. Ndërsa PDSH lindi nga kjo lëvizje studentore, nga dëshirat mes shtresave të ndryshme për të rrëzuar komunizmin. Lëvizja studentore në Shqipëri tregoi se për këtë vend promotori kryesor i lëvizjeve është e ardhmja. Po t’i referohemi ndryshimeve në Lindje, shohim se janë të tjera grupacione që kanë realizuar ndryshimet.  Pra barrën e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri e mori pikërisht rinia studentore dhe përvec mesazhit pasionant të rrëzimit të këtij sistemi, ajo solli mesazhin e jetës, paqësor nga natyra dhe mesazhin e demokracisë. Të tëra këto do të përmblidheshin në rrugën e integrimit të Shqipërisë si gjithë Evropa Demokratike. Kjo është lëvizja më perëndimore që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë. Gjatë atyre ditëve u ndeshën egërsia e regjimit me forcën vitale të njerëzve, jeta e vjetër e unifikuar me jetën e re, psikologjia e vjetër me të renë, frika me guximin, oksidentalizmi me orientalizmin,  pra nata me ditën.  Katër ditët e para të Dhjetorit më kujtojnë bojkotimin total që realizuan shqiptarët  ndaj ish komunizmit, ku u hoq përfundimisht sistemi oktapod i montuar mes PK dhe sigurimit të shtetit.  Duke njohur realisht rrugën e qeverisjes së PD gjatë këtyre viteve dhe duke e krahasuar atë me interesat që kanë pasur individët gjatë kësaj periudhe personalisht jam i kënaqur me Shqipërinë pas 5 vjetësh. Ajo është tani një vend krejt tjetër. Ka pasur vërtet probleme që erdhën nga mungesa e një kulture të mirëfilltë politike, nga mungesa e trashëgimisë nga e kaluara etj.  Por e sotmja premton shumë për të ardhmen. Do të uroja që në këtë të ardhme të kishte një ingranim më të madh të rinisë në politikë apo administratën shqiptare, rritjen e besimit dhe të qenurit më të guximshëm ndaj kapitalizmit, të cilin akoma sot nuk po e ndjej të ekzistojë fuqishëm.

-A mund të pritej më tepër  nga këto 5 vjet?

-Ka katër vjet që shtypi dhe partitë politike shqiptare e pranojnë lëvizjen studentore të Dhjetorit. Dhe të gjitha mundohen të përfitojnë nga kjo lëvizje apo të pretendojnë se kanë marrë pjesë në të.  Mua më vjen mirë, sepse duke pranuar këtë lëvizje studentore shkohet drejt zhvillimit pluralist total. Kuptohet se ka plot për të bërë. Kështu, unë jam tepër i pakënaqur nga sistemi gjyqësor në Shqipëri që nuk arriti të dënojë si krimin e diktaturës, edhe korruptimin e administratës së sotme.  Një problem tjetër që mbetet të realizohet në politikën tonë është realizimi i aspiratave tona në mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. T’i lemë egoizmat e vogla dhe ata që i dhanë fund atëherë komunizmit në Shqipëri, duhet të mblidhen prapë për t’u përpjekur që demokracia në Shqipëri të fitojë. Nëse Shqipëria do të arrijë të ndërtojë zgjedhje të lira e paqësore, nëse në Shqipëri do të fitojnë edhe një herë forcat demokratike dhe koalicioni antikomunist, atëherë ne të gjithë do të jemi dëshmitarë që Shqipëria do të ecë përpara dhe më shumë.  Shqipëria e viteve 97-98 pasi të ketë hedhur një hap të rëndësishëm në zgjedhjet e lira do të jetë krejtësisht tjetër për Perëndimin dhe vendet e tjera të zhvilluara.

Blendi Fevziu

1-8 Dhjetori është një nga momentet më të mëdhenj historikë të Shqipërisë, një nga datat që ndryshoi fatet e këtij vendi. 8 Dhjetori në një mënyrë a një tjetër ka qenë fati apo fataliteti i gjithë shqiptarëve.  Them se ka qenë fati, sepse në netët e 8 dhe 9 Dhjetorit Shqipëria ndërroi plotësisht faqen e saj.  Shoqëria shqiptare u riorganizua në një mënyrë krejt të re dhe gjithë shqiptarët fituan një dimension të ri të panjohur deri atëherë, lirinë. Nga ana tjetër, e kam quajtur fatalitet sepse ne u detyruam të përballemi me disa probleme dhe koncepte që nuk i kishim njohur dhe kishin qenë të huaja për ne deri atëherë, për të cilat u desh kohë të përshtateshin me shoqërinë. Personalisht, përjetimin e datave 8-9-10 Dhjetor e quaj dhe do ta quaj fat të madh.

2-Bilancet gjithmonë janë shumë të vështira. Duhet patur parasysh se nga idetë e fillimit ka përherë firo. Sot është e vështirë të them se kjo firo është më e madhe apo më e vogël nga ajo që mendonim. Natyrisht ka pasur shumë deziluzione, por në total e kemi arritur në një farë mënyre atë që donim, një shoqëri të lirë e pluraliste, ku gjithsecili ka vendin e tij. Ndërkohë që kemi humbur shumë në aspektin personal. Shumë nga miqtë e mi të Dhjetorit tani janë pjestarë të partive të ndryshme politike dhe e shohim njëri tjetrin më tepër si armiq. Cdo përvjetor është dicka e shënuar, të cilin gjithsecili e përjeton në mënyrën e tij. Ndërsa organizimet e tij ose duhet të jenë të sakta ose më mirë të mos bëhen fare. Duket sikur  8 Dhjetori po ngjason me 8 Nëntorin, 10 Korrikun apo 29 Nëntorin.  Është e njëjta mënyrë organizimi, me koncerte, me këngë etj., kurse ajo më komikja është përkujdesi i shtetit për të seleksionuar protagonistët dhe idetë e Dhjetorit.  Kështu rasti më i fundit është ai i Drejtorit të RTVSH, të cilin personalisht e kam respektuar, i cili ka bërë listën e atyre që duhet të flasin apo jo për 8 Dhjetorin, duke u bërë kështu censori i parë i madh i një date vërtet historike për Shqipërinë, e cila nuk ka lidhje as me partitë, as me idetë, por vetëm me Shqipërinë.

Akli Fundo

1-Dita e Dhjetorit 8, 9… ishin ditët që i treguan këtij populli se si vritet frika. Ishin ditët e një sigurie dhe sinqeriteti të madh, ditët që thyen mitin e komunizmit, që sanskionuan pluralizmin politik në Shqipëri, ditët e krijimit të opozitës të organizuar kundër regjimit komunist dhe ato që hodhën për herë të parë alternativat e së ardhmes së Shqipërisë. Ato ditë hodhën poshtë rrugën e diktatit duke sjellë në qendër të politikës dialogun; treguan se Shqipëria di të jetë Evropë dhe se ky popull duhet të ketë shpresë për të ardhmen. Në fakt lëvizja studentore që u ndez si flakadan në Qytetin Studenti duke përfshirë më pas të gjithë vendin, është marrë gjithmonë si pjesë e PD duke harruar se Partia Demokratike erdhi si pjekje e mendimit politik pikërisht nga Lëvizja e Dhjetorit.

2-E rëndësishme është që idetë e atëhershme, tani janë hedhur në teori dhe mbizotërojnë politikën shqiptare. Mendoj se realizimi i plotë i tyre është vetëm cështje shpejtësie dhe kohe.

Jonila Godole

SHKARKO APP