Jorida Tabaku: Përgjegjës 80% e dëshmitarëve e thirrur për inceneratorët. Mblidhemi në hënën
I mbledhur që prej orës 09:00 të mëngjesit ka përfunduar dëgjesa e Komisionit Hetimor për inceneratorët.
Në mbyllje, kryetarja Jorida Tabaku u shpreh se 80% e dëshmitarëve kanë përgjegjësi për aferën e inceneratorëve.
Ajo ka lajmëruar mbledhjen e radhës së këtij Komisioni qaë do të jetë ditën e hënë, por dëshmitarja e thirrur Arjola Kodra pohon se nuk ka një thirrje zyrtare për të. Në këto kushte sipas Tabakut do të presim 48 orë dhe do të vijohet me shoqërimin e saj.
“E kemi vendosur përgjegjësinë dhe peshën politike, njëkohësisht dhe peshën e ligjit tek SPAK për të vepruar. Faktet që po paraqiten këtu, kanë bërë që kushdo të dëgjojë se çfarë ka ndodhur me aferën e inceneratorëve. Dhe me përgjegjësi të plotë e them, në 80% të rasteve të dëshmitarëve të cilët ne kemi thirrur, kanë përgjegjësi për aferën e inceneratorëve. Zonja Dhima nuk e nisi shkresën për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë por unë do ta nis atë si Kryetare e Komisionit. Më vjen keq që PS nuk bie dakord të zbatojë ligjin sepse unë e di që jam në anën e ligjit, dhe i kërkoj anëtarëve të Komisionit që ditën e hënë, ora 10.00 të rimblidhemi për zonjën Arjola Kodra dhe të presim 48 orëshin për njoftimin sepse tha se nuk e ka marrë akoma njoftimin për mbledhjen e sotme. E konsiderojmë këtë njoftimin e tretë dhe më pas do të zbatojmë ligjin për shoqërimin e saj”, tha Tabaku.