Jorida Tabaku: Statusi i Minatorit është detyrim moral dhe ekonomik
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka rikthyer në vëmendje nismën e saj për “Statusin e Minatorit”, një propozim ligjor i depozituar prej një viti dhe tashmë në shqyrtim në legjislaturën aktuale. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se kjo nismë është fryt i një pune trevjeçare së bashku me një grup minatorësh, të cilët prej kohësh protestojnë çdo të enjte përpara Kuvendit.
“Statusi i Minatorit është një domosdoshmëri për një nga profesionet më të vështira dhe me impaktin më të madh në shëndet e në jetë,” – shprehet ajo, duke theksuar se nëntoka shqiptare është e pasur dhe e çmuar, por përfitimet nuk shkojnë tek ata që punojnë në kushte ekstreme.
Sipas Tabakut, propozimi synon përmirësimin e kushteve të punës, organizimin përmes kontratave kolektive dhe mbi të gjitha rritjen e përfitimeve financiare për minatorët, si dhe uljen e moshës së daljes në pension. Ajo nënvizon se shpenzimet e shumta shëndetësore që ky profesion sjell për minatorët dhe familjet e tyre e bëjnë të domosdoshme një mbështetje afatgjatë nga shteti.
Deputetja demokrate kritikon qeverinë për dështimin në kontrollin e kontratave koncesionare në sektorin minerar dhe për mungesën e një pensioni dinjitoz për punëtorët e nëntokës. “Ka nevojë vetëm për vullnet politik për të zgjidhur gjërat. Duhet të dalim përtej politikës dhe t’u ofrojmë një pagesë dinjitoze këtyre 11 mijë minatorëve,” – deklaron Tabaku.
Në një kohë kur çmimet janë rritur dhe kostoja e jetesës është përkeqësuar, Tabaku apelon për mbështetje të gjerë parlamentare për këtë nismë, duke e konsideruar atë jo thjesht një çështje sociale, por një provë të përgjegjësisë së shtetit ndaj atyre që mbajnë mbi supe një nga industritë më të rëndësishme të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

