Jorida Tabaku thirrje qeverisë: Kthejuani taksën profesionistëve të lirë!
Nga Jorida Tabaku
Qeveria vazhdon të heshtë për rikthimin e këstit të taksës që padrejtësisht u ka marrë profesionistëve të lirë. Të jemi të qartë, shtresa e mesme ka paguar padrejtësisht një këst të taksës antikushtetuese të profesionistëve të lirë. Atyre u duhet kthyer ajo që është marrë padrejtësisht dhe pandershmërisht!
Vendimi parë që Ministri Financave duhet të dërgojë në tavolinën e qeverisë është rikthimi kësaj pagese që u morr padrejtësisht dhe pandershmërisht në një kohë që Gjykata Kushtetuese po shqyrtonte çështjen e dërguar prej PD dhe profesionistëve të lirë. Nuk ka asnjë logjikë ligjore, ekonomike dhe administrative që qeveria të mbajë në arkë 10 mln euro që u janë marrë padrejtësisht profesionistëve të lirë!
Nëse qeveria sot hesht kjo vjen si pasojë e vendimit të saj politik për t’u sekuestruar padrejtësisht 10 mijë qytetarëve që kanë një biznes të vogël të ardhurat që u takojnë atyre. Koha t’u rikthehet qytetarëve ajo që iu morr padrejtësisht dhe pandershmërisht! Na duhet një qeveri e ndershme që i trajton me dinjitet qytetarët. Që respekton sipërmarrjen! Që nuk mbingarkon me taksa dhe nuk fut dorën në xhepin e shtresës së mesme edhe kur Kushtetuta e ndalon! Nuk do ndalemi për sa kohë nuk do u rikthehet ç’ka u është marrë padrejtësisht shtresës së mesme!