“Joshja” për kredi përballë sfidës së borxhit – Qeveria parashikon ulje me 1.5% ndaj PBB çdo vit
Ndërsa qeverisë i janë ofruar qindra milionë euro kreditim me interesa të favorshme për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit, duket se është e kushtëzuar nga sfida për të ulur borxhi publik. Në programin e Reformave Ekonomike 2020-2022, të miratuar së fundmi, qeveria parashikon të ruajë politika fiskale konsoliduese, të cilat synojnë të mbajnë trajektoren rënëse të borxhit publik në raport me PBB-në që nga viti 2016.
Në dokument shkruhet se “ Borxhi publik pritet të bjerë në rreth 65.4% të PBB-së në vitin 2020; 62.3% e PBB-së në vitin 2021 dhe 62.0% në vitin 2022. Ndërkohë, borxhi publik neto nga asetet likuide të qeverisë (depozita në para të qeverisë që mbahen në bankën qendrore) pritet të reduktohet në 60.5% në vitin 2022.” Ndërkohë citohet se për të arritur këtë objektiv të politikës fiskale afatmesme mbi borxhin publik, skenari fiskal bazë synon një deficit fiskal në nivelin 2.2% të PBB-së më 2020-ën, një nivel prej 2.0% të PBB-së në vitin 2021 dhe synon ulje të mëtejshme në 1.7% në vitin 2022.
Në të njëjtën kohë, synohet një bilanc primar pozitiv në vitet 2020–2022, respektivisht 0.1% të PBB-së në vitin 2020; 0.5% në vitin 2021; dhe 0.8 për qind në vitin 2022. Qeveria duket se është e vendosur që për periudhën afatgjatë, politika fiskale të vijojë të mbetet qartësisht e orientuar drejt konsolidimit fiskal, duke synuar një ulje të borxhit publik, me të paktën mesatarisht 1.5 pikë përqindjeje të PBB-së në çdo vit. Ndërsa parasheh që deri sa niveli i tij të arrijë objektivin afatgjatë prej 45% të PBB-së, të përcaktuar në rregullat fiskale të ligjit organik të buxhetit. /Scan