“Ka bërë gabim apo jo, e përkrah se është shpirti im”, Arben Hasanaj përsërit thirrjen për djalin: Të dorëzohet para policisë
Arben Hasanaj ka folur para mediave duke i bërë thirrje publike të birit që të dorëzohet para policisë. Djali i tij 19-vjeçar, Ilirjan Hasanaj është në kërkim për atentatin ndaj shefit të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj dhe babait të tij, ngjarje kjo e ndodhur mesditën e së dielës.
Ish-punonjësi i Policisë Arben Hasanaj tha se e vetmja gjë që i bashkon familjet është mbiemri i njëjtë dhe disa miqësi, por nuk kanë pasur asnjëherë hasmëri apo probleme. Në fjalën e tij para mediave, thotë se do e përkrahë të birin në çdo moment si dhe do të jetë krah policisë për të gjetur djalin.
Ndër të tjera zbuloi se biseda e fundit me Ilirjanin ishte për gabimin që kishte bërë gjatë provimit të praktikës për marrjen e patentës.
Apeli i Arben Hasanaj: I bëj thirrje që të dorëzohet. Nuk kam dituri për çunin. Me djalin kam pasur marrëdhënie të mira, më ka dëgjuar, i respektueshëm, nuk e kam imagjinuar që ka ndodhur kjo punë. Nuk kemi pasur kurrë konflikte, nuk kemi asnjë lidhje me ta. E njoh të gjithë famijen e tyre, kam shumë respekt.
Dua që unë të gjej djalin, nuk e di ku është djali. Unë mbështes totalisht policinë e shtetit. Do të bashkëpunoj sikur jam në policinë e shtetit për të gjetur djalin tim për të zbardhur të drejtën e Zotit. Ka bërë gabim apo jo, unë do ta përkrah djalin, është fëmija im, shpirti im.
Na bashkon vetëm mbiemri Hasanaj dhe shqiptar. Djali ka mbaruar shkollën dhe më pas ka konkurruar për Akademinë e Rendit. Më pas u regjistrua për patentën, e mori provimin e teorisë, e mori, kurse për praktikën prisnim përgjigje këto 2-3 ditë. E pyeta si ke shkuar, tha kam gabuar vetëm në mbikalesa. Në rregull i thashë presim. Në këtë moment u fikën gjërat. Pas kësaj, më tradhtoi…
Dyshimet e policisë mund të jenë ose jot ë sakta. Nuk mund të them asgjë kur bnuk e kam djalin. Në momentin e parë që do e takoj, do e dorëzoj në polici. Nëse ka bërë gabim, do të përballet me ligjin. Dua që djali të gjendet. Nuk kam marrë konktakt me policinë.
Kemi miqësi të ndërthurur, nuk kemi hasmëri e nuk kemi pasur kurrë probleme me ta. Unë do të jem polic në kapjen e djalit tim.