“Ka ditë që është mbi 20%”/ Eksperti tregon parametrin shqetësues të Covid-19 në Shqipëri
Në një lidhje me Skype për Ora News, eksperti i shëndetit publik Erion Dasho ka komentuar ecurinë e pandemisë në vendin tonë, rritjen e shifrave të infektimeve dhe masat e marra nga qeveria.
Matilda Mcini: Si e shihni këtë kurbë të infektimeve në Shqipëri?
Erion Dasho: “Prej kohësh shifrat në Shqipëri nuk janë të besueshme sepse ka patur dyshime, qoftë për manipulim, qoftë për një mospërfaqësim të drejtë të situatës për shkak të numrit tejet të ulët të testimeve. Gjithësesi, ne specialistët e shëndetit publik jemi të detyruar që të japim përfundimet tona dhe gjykimet tona bazuar në këto shifra.
Shifrat e ditëve të fundit flasin vetë. Pra, po i afrohemi rregullisht 300 rasteve në ditë çka është një rritje gati dyfish krahasuar me javën e kaluar”.
Sipas ekspertit, krahasuar edhe në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria duhet të bëjë minimalisht 5 mijë testime në ditë.
Erion Dasho: “Do të thoja se është një situatë shqetësuese. Situata epidemiologjike është drejt përkeqësimit. Dhe një parametër, që është akoma më shqetësues, është numri i rasteve pozitive për numrin total të testimeve. Ky numër ka disa ditë që është mbi 20%. OBSH rekomandon se ky numër duhet të jetë idealisht, nga 5 në 10% gjë që tregon se numri i testimeve është i mjaftueshëm. Fakti që ne e kemi 2 deri në 4 herë më të lartë se pragu i rekomanduar nga OBSH tregon se ende jemi duke testuar shumë pak dhe në momentin që flasim duhet të testojmë të paktën 5000 persona në ditë me qëllim që të njohim situatën reale të Covid-it në Shqipëri”.
Ditën e sotme, Ministria e Shëndetësisë raportoi se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 1413 testime nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 295 qytetarë. Ndërsa viktima ishin 3.