Kalaja e Gjirokastrës në rrezik, thellohet çarja në Kullën Jugore

Kulla Jugore e kalasë së Gjirokastrës është duke thelluar çarjen e evidentuar të paktën 12 vite më parë. Janë të paktën 3 çarje në strukturën e kullës por ajo e pozicionit ballor, ëshë duke u zgjeruar me shpejtësi.

Në 18 Janar çarja mbi këtë kullë duket qartësisht më e ngushtë se ajo e regjistruar sot vetëm 22 ditë më pas. Por i kontaktuar për të sqaruar këtë situatë drejtori rajonal i Monumenteve të Kulturës Albert Kasi tha jashtë kamerave se çarja është thelluar vetëm me 1 cm në 15 vitet e fundit dhe se situata nuk është e rrezikshme.

Studio italiane Torresi që realizoi në vitin 2006 Studimin e Riskut Sizmik për Gjirokastrën e prezanton situatën të vështirë dhe zonën rreth kështjellës si një territor me risk sizmik të nivelit 3 dhe 4 që tregohet me ngjyrë të kuqe në hartën e asaj periudhe. Raporti rekomandon masa për reduktimin e riskut, por asnjë ndërhyrje nuk ka ndodhur pas këtij studimi.

UNESCO i rikthehet problemit në vitin 2014 ku në raportin me titull: “Manaxhimi i riskut të shkatërrimit në sitet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri” e përmend rastin e Gjirokastrës si kritik.

Raporti sjell foto të të çarave në muret e kështjellës dhe shënon se ato mund të lidhen me paqëndrueshmërinë gravitacionale që është aktive përgjatë shpatit të kodrës mbi të cilën është vendosur kështjella.

” Përfundimisht një studim gjeomekanik dhe strukturor i detajuar i kreshtës konglomerate që është e vendosur nën kështjellë do të na lejonte ne të kuptonim më mirë proceset përgjegjëse për paqëndrueshmërinë gravitacionale”, thuhet në raport.

Më 18 Janar shembja e një masivi dheu pikërisht nën kullën Jugore alarmoi një pjesë të specialistëve për një aktivizim të ri të lëvizjes së shkëmbinjve që mund të prishin ekuilibrin statik të gjithë shpatit. /Top Channel/

SHKARKO APP