Kalon Vetting-un. KPK konfirmon në detyrë prokurorin Besim Hajdarmataj
Kalon vetting-un prokurori Besim Hajdarmataj. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë sot vendimin për Hajdarmataj, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda duke e konfirmuar në detyrë.
Hetimi për prokurorin ishte kryer për të tri komponentët: pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës. Duke iu referuar relacionit të Komisionit, Hajdarmataj rezulton se nuk ka prona të paluajtshme dhe pasuria e tij përbëhej nga disa depozita bankare.
KPK-ja tha se nga hetimi për të gjitha pasuritë dhe dhuratat e deklaruara, nuk janë konstatuar problematika dhe se analiza financiare e kryer, ka dalë pozitive. Edhe në kriterin e pastërtisë së figurës, DSIK kishte dorëzuar një raport me konstatimin se Hajdaramataj nuk kishte kontakte me persona të krimit të organizuar dhe se ishte i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës.
“DSIK ka dorëzuar një raport me konstatimin se prokurori është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës”, tha relatorja. Sa i takon aftësive profesionale, Prokuroria e Përgjithshme kishte dorëzuar një raport pozitiv për prokurorin, i cili shpesh është konsideruar si i dosjeve të bujshme.