“Kam fëmijë për të rritur”, fjalët prekëse të Ballistit në gjyq

 

Ismail Morina, i njohur ndryshe si Ballist Morina është paraqitur mesditën e sotme para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.

Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Morinën, e njëjta e kërkuar dhe nga Prokuroria. Ai është shprehur para trupit gjykues se do të pranojë çdo vendim që do t’i jepet atij dhe se nuk kërkon mëshirë nga askush.

“Do të doja të gjendesha para ndonjë gjyqtari serb e të mbroja interesin e vendit tim por tani jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten. Unë nuk kërkoj mëshirë, dua mirëkuptim nga ju, nëse do kem vendim pozitiv do ta nderoj atë deri në fund. Unë kam një familje që nuk e shoh prej dy vitesh, kam dy fëmijë për të rritur”, ka thënë Ballist Morina.

Edhe avokati mbrojtës i Morinës ka folur para trupës gjykuese i cili ka kërkuar një masë më të butë për klientin e tij pasi ky është një rast i veçantë.

Sipas tij, Morina nuk përbën rrezikshmëri dhe se armën e mbante prej frikës pas ngjarjes në Beograd.

Ndërkohë gjykata vendosi të lërë të lirë tre personat që u kapën me Morinën, Erion Bahushin, Denis Ballën dhe Marin Rexhën.

Ismail Morina u arrestua dy ditë më parë nga policia e Tiranës, një ditë para ndeshjes Shqipëri- Serbi dhe në makinën e tij u gjendën një pistoletë Zastava në brez me 6 fishekë dhe një tjetër në makinë.

Ndaj tij rëndon akuza e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Për këtë akuzë ai rrezikon nga 7 deri në 15 vite burg.

SHKARKO APP