Kampi do hapej që më 20 Maj, deputetët nga Italia shkojnë në Gjadër: Punimet s’kanë filluar
Deputetët e Partisë Demokratike në Itali, këtë të mërkurë kanë bërë një vizitë blic në Gjadër, aty ku është parashikuar që të ngrihet qendra e pritjes së emigrantëve. Në vizitën e tyre, Matteo Mauri së bashku me kolegët Simona Bonafè, Enzo Amendol dhe Matteo Orfini thanë se në 70 mijë metra katrorë nuk kanë gjetur asgjë. Punimet nuk kanë nisur, duke theksuar se e gjitha ishte një propagandë e shëmtuar e kryeministres Giorgia Meloni.
“A e kupton se çfarë po bëni? Ju po shkelni të drejtat e njeriut, po shpenzoni një shumë të madhe parash publike dhe mbi të gjitha nuk jeni në gjendje as të mbani fjalën që keni thënë”, ka thënë Mauri.
Sipas kalendarit të shpallur nga qeveria Meloni, qendrat duhet të ishin inauguruar të hënën më 20 maj, por siç është njoftuar javët e fundit nga Repubblica, dorëzimi i punimeve është planifikuar për në fund të vjeshtës, çka ka shtyrë në kohë edhe sjelljen e emigrantëve drejt Shqipërisë.
“E vetmja gjë që lëviz është buxheti. Tani kemi shkuar nga 653 milionë në mbi 800 milionë. Dhe burimet e nevojshme vazhdojnë të rriten, siç e kishim raportuar tashmë në nënshkrimin e marrëveshjes. Është e qartë se jemi përballë një përpjekjeje qesharake për të paguar një reklamë elektorale për zgjedhjet evropiane. I kërkojmë kryeministres Meloni të heqë dorë nga ky projekt dhe të zhvendosë burimet drejt fuqizimit të burimeve që do t’i akordohen sistemit kombëtar shëndetësor”, kanë vijuar deklaratën e tyre.