Kanabisi mjekësor, hartohet ligji nga ana e qeverisë. Kushtet për pajisjen me licencë

Për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore pyetësorit nga ana e qeverisë, i janë përgjigjur 308 mijë qytetarë që kanë votuar pro, 148 mijë kundër dhe 51 mijë nuk kanë shprehur një mendim.

Nisma ligjore parashikon rregullimin, kontrollin e kultivimit, përpunimit dhe eksportimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, të destinuar për qëllime mjekësore dhe industriale. Për zbatimin e ligjit Krijohet Agjencia Kombëtare e Kontrollit dhe Monitorimit të Kultivimit dhe Përpunimit të Bimës së Kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Agjencia është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit.

Që një kompani të fitojë të drejtën për kultivimin dhe eksportimin e kanabisit, duket të pasijet me licencë përkatëse. Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit. Vendimi i qeverisë për pajisjen e një kompanie për licencën për kultivimin e kanabisit propozohet nga Ministri i Shëndetësisë, në rastin konkret nga ministrja Ogerta Manastirliu.

Kufizimi, jo më shumë se 150 hektarë

Në ligj është vendosur një kufizim sa i takon sipërfaqes maksimale të tokës që mund të kultivohet me kanabis. Konkretisht, sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar. Gjithashtu, sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për qëllime mjekësore nuk mund të jenë më të vogla se 5 hektarë dhe jo më të mëdha se 10 hektarë. Ky kufizim pritet të ndezë një luftë të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë.

Kushtet për pajisjen me licencë

Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë. Praktikisht, asnjë kompani shqiptare nuk i plotëson kushtet, pasi kriteri i parë është që kompania duhet të të ketë eksperiencë në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Kompania ose aksioneri me 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga 38 vendet pjesë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik. Subjekti duhet të jetë i pajisur me certifikatë të paktës së mirë të prodhimit lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Gjithashtu, kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Ndërkaq, të interesuarit duhet të të paraqesin planin e zhvillimit të biznesit, modelin e kultivimit dhe qëllimin e kultivimit si dhe sipërfaqen minimale dhe maksimale të njësisë së zhvillimit. Duhet të paraqesin planin e përpunimit të mjediseve për tharjen, prerjen dhe magazinimin e kanabisit. Planin e sigurisë për sipërfaqen për kultivim dhe përpunim e kanabisit duke përcaktuar elementët e mbrojtjes, rrethimit, sigurinë me telekamera dhe sigurimi fizik për 24 orë.

Mes kritereve për të aplikuar për licencë është vetëdeklarimi për punësimin për të paktën pesëmbëdhjetë persona, vetëdeklarimi për gatishmërinë për të lidhur marrëveshje me strukturën përgjegjëse të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike për të garantuar aksesin për inspektim si dhe vetëdeklarim se do të fillojë ushtrimin e veprimtarive të përshkruara në licencën e brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Subjektet duhet të bëjnë një vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se 10,000,000 lekë. /Report Tv/

SHKARKO APP