Kanabisi në News24, reagon PD: Vrasja në Gramsh për drogën, Rama konfiskon një degë në studio televizive
Partia Demokratike ka reaguar pas ‘incidentit’ në News24 që solli një trupë të tërë policësh, të cilët sekuestruan një degë kanabis të marrë si mostër në emisionin “Studio e Hapur”.
Deputeti Gerti Bogdani tha se ‘Rama dhe Tahiri tallen e nuk luftojnë kanabisin’ dhe se vrasja që ndodhi sot në Gramsh, ishte pikërisht për kanabisin.
“Vrasja e sotme ne Gramsh që ka motiv parcelat me kanabis, është tregues i qartë i thellimit të varfërisë, rritjes së konflikteve, dhunës dhe vrasjes, dhe i shtetit që jo vetëm bën sehir ndaj drogës, por bëhet instrument mbështetës; shembull i qartë i të cilës është ministri Tahiri sot, që e fsheh motivet e vrasjes në Gramsh”, tha Bogdani.
Ai deklaroi se’ miliona euro që nxjerr ky biznes kriminal shkojnë në pak duar, pasurojnë vetëm kartelin e Edi Ramës, që përdoren më pas për të blerë dhe votën, për të ruajtur pushtetin e krimit, ndërkohe që vazhdon të thellojë varfërinë e shqiptarëve’. Bogdani ka ironizuar faktin që policia sekuestroi një degë kanabis në News24.
“Kryeministri i vendit, në vend që të luftojë kanabisin dhe trafikantët e tij, tallet, siç bëri mbrëmë në studion e emisionit Studio e Hapur, në News24, duke konfiskuar një degë kanabisi. Kryeministri i vendit, tallet, ndërkohe që kjo është realisht drama më e madhe qe po kalon vendi. Drame që dje gjeti rrugën dhe tregoi degën e hashashit në studion televizive, pasi ky biznes kriminal ka mbuluar vendin”, tha ai.
Sipas deputetit demokrat, kjo është një ‘dramë që sot shënon viktimen e radhës në Gramsh, sepse është e qartë, droga pasuron një grusht të vogël kriminelësh dhe pushtetarësh, ndërkohe që vret dhe që varfëron qytetarët dhe shkatërron shoqërinë’.
“Eshtë koha që shqiptarët të bashkohen e ta shpëtojnë vendin nga ky rrënim. Shqipëria nuk meriton drogë, nuk meriton të sundohet nga karteli i Edi Ramës”, tha Bogdani.
KOHA JONË SONDAZH

