
Samiti i Procesit të Berlinit për Ballkanin Perendimor u zhvillua në Mal të Zi. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dënoi dhunën në protesta dhe retorikën përçarëse që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Europës.
Në një nga gjiret më piktoreske të Shën Stefanit, në Mal të Zi, liderët e Ballkanit Perëndimor u ulën sërish përballë njëri-tjetrit në tryezën e Samitit të Procesit të Berlinit. Takimi u drejtua nga kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili e nisi fjalën e tij me një mesazh të qartë për përgjegjësinë që vendet e rajonit duhet të marrin në përmbushjen e reformave drejt Bashkimit Europian.
“Ndryshimi duhet të vijë nga ju, nga brenda vendeve tuaja. Ne kërkojmë që vendet e Ballkanit të ulen në tryezë, por progresi dhe reformat duhet të realizohen nga vetë këto vende” – u shpreh kancelari gjerman.
Për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë dhe disa vende të Europës,Merz u tregua i prerë, duke dënuar dhunën dhe retorikën përçarëse.”Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Europian apo këtu në rajon, dhuna nuk duhet të jetë kurrë një opsion për asnjërën palë. Retorika përçarëse dhe polarizimi në rritje nuk do të na çojnë drejt një Europe më të sigurt, më të lirë dhe më të begatë” – deklaroi Merz.
Në konferencën për shtyp, përkrah kancelarit austriak Christian Stocker dhe kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, Friedrich Merz e cilësoi integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si një domosdoshmëri gjeopolitike. Ai tha se rajoni nuk duhej të kthehej në një arenë rivaliteti për ndikim mes fuqive të mëdha.
“Ballkani Perëndimor nuk duhet të shndërrohet në një vend ku fuqitë e mëdha rivalizojnë për ndikim. Është në interesin tonë të përbashkët që rruga e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Europian të jetë e pakthyeshme” – deklaroi Merz.
