Kanceri i gjirit, mjekja tregon se cilat gra janë më të rrezikuara
Që nga data 1 tetor, në të gjithë botën ka nisur fushata e ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Mjekja Dhurata Tarifa, thotë se në vendin tonë ka një shtim të incidencës, që nuk është i frikshëm, por një shtim normal, si edhe në vende të rajonit dhe Europës. ”Nën moshën 35-vjeç, sëmundja diagnostikohet pak më vonë ngaqë është i rrallë në këto mosha. Ndodh një vonesë në diagnozë, që nga mjeku i familjes që nuk i jep një rëndësi në një moshë të re. Kjo sëmundje nuk ka vetëm një shkak, akuzohen hormonet femërore, por rreshtohen shumë shkaktarë që ndahen në definitivë ose jo. Për shkaktarë që nuk varen nga gruaja si gjeni, mosha, por edhe të tjerë që varen nga ajo si mënyra e jetës, alkooli, duhani etj”, tha mjekja.
Ai u bëri thirrje grave që janë më vulnerabël ndaj kësaj sëmundjeje, që të tregohen shumë të kujdesshme me ekzaminimet që në moshë të re. ”Mbi moshën 20-vjeç të kryhet një vetekzaminim dhe pas moshës 30-vjeçare një herë në vit vizitë tek mjeku specialist. Mbi 40-vjeç duhet mamografi çdo 2 vjet dhe mbi 50 çdo vit. Sa më i hershëm stadi i diagnozës, aq më pak agresiv mjekimi dhe kjo lidhet me mbijetesën. Tek moshat më të reja kanceri ka biologji më të egër, krahasuar me moshat më të vjetra ku dominon faktori gjenetik”, tha mjekja.