Kandidat edhe në Durrës, Rama: Jam kurioz të shoh kush më do më shumë
Kryeministri Edi Rama nga Durrësi ka treguar arsyet që e kanë shtyrë që të kandidojë për deputet në këtë qytet. Si fillim Rama tha se kandidimi ka ardhur dhe si një test se cili qytet do e dojë më shumë Durrësi apo Vlora, pasi kandidon në të dy qarqet njëkohësisht.
”Motivimi im për të ardhur në Durrës lidhet dhe me disa punë që kanë nisur dhe kanë ardhur në vijë. Motivimi vjen nga disa projektet që tani janë në vijë. Projekti i madh i transformimit të portit të Durrësit është një projekt historik, investimi do të jetë rreth 2 miliardë dhe bëhet nga një nga kompanitë më të mëdha të botës.
Projekti do të fillojë tani me të gjitha procedurat dhe masterplani është aprovuar. Ndërkohë do të fillojë krijimi i menjëhershëm i shumë vendeve të punës, do të fillojë dhe transformimi i gjithë hapësirës së tregtisë mes detit, duke ndërtuar portin e ri tregtar.
Më pas është parku i dytë fotovoltaik që do të ndërtohet në zonën e Spitallës. Lagjia e re rindërtimit që ka nisur puna ndërkohë dhe është një tjetër realitet i ri që do të ketë ndërtime cilësore për të gjithë familjet e prekura nga tërmeti”, tha Rama.