Kandidatët për deputetë të LSI-së, Kryemadhi: Më pak figura nga biznesi, më shumë rini
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është e ftuar sonte në emisionin ”Open”, ku ndodhet përballë gazetarëve dhe analistëve. Kryemadhi regoi ndër të tjera sesi do të jenë kandidatët e LSI-së për zgjedhjet e 25 prillit në 2021. Vendimin përfundimtar për listat e deputetëve tha Kryemadhi, do ta japin strukturat e partisë, pasi deri në nëntor LSI do të zhvillojë zgjedhjet e brendshme ku do të përcaktojë dhe kriteret për kandidatët për deputetë.
LSI shkon për herë të parë me Monika Kryemadhin si kryetare në zgjedhje, çfarë do ndryshojë nga Ilir Meta?
Do jetë më demokratike në zgjedhjet e kandidatëve të saj.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Që ata që do të përfaqësojnë LSI-në do të jenë të rinj dhe të reja, djem dhe vajza të cilët kanë një histori të lidhur jo vetëm me LSI-në, që në vitet e para të shkollës së tyre, por do të jenë të lidhur me komunitetin. Do të jenë njerëz të cilët do të kenë përfaqësimin e drejtpërdrejtë me qytetarët që përfaqësojnë dhe mbi të gjitha do të jetë një strukturë që kandidatët e saj do të jenë jo vetëm më të zgjedhurit ose më përfaqësuesit e LSI-së, por do të jenë edhe më përfaqësuesit e atij komuniteti apo distrikti, ku ato do të garojnë.
Nuk mund të them që jam më e mirë se Ilir Meta, por dua të them që LSI-ja do të hyjë në procesin zgjedhor të saj tashmë, sepse është në fund të 4 vjeçarit të mandatit të saj të të gjithë strukturave drejtuese të partisë.
Kështu që automatikisht do të detyrohet në përgatitjen edhe të rregullave të reja të përzgjedhjes së kandidatëve, por edhe të hapjes dhe të zgjerimit te partisë, jo vetëm me figura politike, por edhe me figura të cilat vijnë nga bota akademike, nga bota profesionale. Do të jetë më e reduktuar bota e biznesit mund të themi.