Kandidati Bejko takim me gratë dhe vajzat: Nënat kryefamiljare, rimbursim 100% për kreditë për strehim
Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko zhvilloi një takim me gra dhe vajza, ndërsa premtoi më shumë mbështetje për nënat kryefamiljare. Bejko tha se nënat kryefamiljare dhe gratë e divorcuara do të jenë në fokusin e tij, të cilave do t’iu mundësojnë rimbursim 100% për kreditë për strehim.
”Në ndryshim nga Erion Veliaj, i cili u merr taksën 3% ndërtuesve vetëm në para’, ata do ta marrin një pjesë në para’ dhe një pjesë banesa, në mënyrë që të strehojnë gratë kryefamiljare, apo ata persona që nuk kanë mundësi financiare. Do ta kemi prioritet që nënat kryefamiljare, të cilat kanë gjithë peshën e familjes, nënat e fëmijëve jetim, apo të divorcuara do t’i kemi në fokusin tonë. Do t’i trajtojmë ato me dinjitet. Do t’i japim kredi 100%, do ua rimbursojë bashkia kredinë për strehimin.
Do të jenë në listën prioritare për të marrë apartament, banesën, që është absolutisht jetike. Ne do u marrim, firmave të ndërtimit, bashkia edhe sot e ka me ligj që do u marrë 3%. Mirëpo bashkia e merr në para’ të gjithë, nuk e merr në objekt. Ne do ta marrim një pjesë në para, një pjesë në objekt. Do ta marrim në objekt me qëllim që çiftet e reja, gratë kryefamiljare, ata që s’kanë kushte për të siguruar minimumin jetik, do të strehohen në këtë shtëpi me kriteret që ka vendosur ligji. Ne duam që t’i strehojmë këto familje në këtë hyrje që ka në dispozicion bashkia”, tha Bejko.
Nga ana tjetër, kandidati Bejko theksoi edhe do të ulin taksën e ndërtimit nga 15% në 5% me qëllim që të bjerë çmimi i apartamenteve. “Përveç rritjes së fuqisë ekonomike, është raporti mes të ardhurave dhe shpenzimeve. Me të ardhura të pakta nuk kryen dot shpenzime të larta. Prandaj ne do ta çlirojmë ekonominë kriminale në bashki, do ta çlirojmë tregun dhe duam që të ulim taksën që është nga 15% do ta zbresim në 5%, me qëllim që të bjerë çmimi i banesave. Vetvetiu do të bjerë ndoshta edhe çmimi i qirave. Siç e keni vënë re qiratë kanë shkuar në stratosferë, shumë të larta për të ardhurat mesatare për frymë që ka Shqipëria në raport me rajonin”, u shpreh ai.