Kandidati i ”Bashkë Fitojmë”, Sharra: PS e humb Vlorën, më 15 maj nuk do dijë ku të shkojë
Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Hysni Sharra thotë se rivalët e tij politikë nuk kanë as vizion dhe as program, por shtoi se opozita ka përballë atë që kryeministri Rama e përshkruan si “bashkia Vlorë, bashkia Shqipëri”.
“Plus 10 vite të pushtetit qendror. Do të bëjmë një operacion sinqeriteti. Nuk ka zgjidhje të problemit të ujit të pijshëm pa u thënë njerëzve që ky është një problem i mbartur prej vitesh, por që keqpërdoret, paratë bëhen rrush e kumbulla. Do të hartojmë një master-plan për furnizimin me ujë të pijshëm”,-shpjegoi Sharra për ”A2cnn”.
I pyetur rreth ofertës së tij për qytetin bregdetar, ai theksoi se programi i tij fokusohet në 6 pika që do të shihen me prioritet, si turizmi, mjedisi dhe vënia para drejtësisë e atyre që janë përfshirë në afera korruptive.
“Kemi propozuar reduktimin në 50% të tarifës së përkohshme të zënies së hapësirës publike. Është vrasëse për të gjitha bizneset, sepse aplikohet për 6 muaj, teksa pak a shumë, operatorët turistikë operojnë në pak më shumë se dy muaj. Edhe kur Lungo Mare ndërtohej, iu morën para subjekteve. Kemi propozuar ndërtimin e një teleferiku. Turizmit historik i është bërë një dëm i riparueshëm. Sheshi i Flamurit, një katrahurë”.
I pyetur për krizën aktuale në PD, Sharra theksoi se e gëzon mbështetjen e të gjithë demokratëve të qytetit dhe se ai vetë nuk ka pse të zgjidhë problemet e Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

