Kandidati i Tiranës Roland Bejko si Basha. Del me ”libër” për zgjedhjet, kurse Alibeaj bën premtimet

Roland Bejko, kandidati i PD-së zyrtare për bashkinë Tiranë në zgjedhjet e 14 Majit ka përgatitur programin për fushatën që duket si një libër, siç bëri në 2021 edhe Lulzim Basha. Bejko thotë se çdo pikë të programit që shkruhet në ‘libër’ do të prezantohet te grupet e interesit.

“Qëllimi ynë është të çlirojmë Tiranën nga kthetrat e grabitqarëve. Ne programin e kemi gati. Tezat e këtij program do bëhen publike ditën e çeljes dhe çdo pikë e këtij program do të prezantohet te grupet e interesit, banorët e zonave rurale dhe atje do flitet qartë, do thuhet e vërteta që është aleati ynë më i madh në këtë zgjedhje. Do kemi një rrugëtim intensiv por së bashku do ia dalim”, tha Bejko.

Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj thotë se PD do të jetë alternativa qeverisëse ndërsa betejën për Tiranën e konsideron të një rëndësie të veçantë. Ai premton se do të punojnë që të ecin me vlera si mosbërja e kompromisit, integriteti, koherenca e idedalizmi.

“Falë rezistencës së demokratëve, PD do të ndihet më e fortë, do të jetë alternativa qeverisëse në të ardhmen sepse është kontributi i njerëzve të lirë. Jemi më të bindur që vlerat tek të cilat besojmë te një PD perëndimore, vlerat e demokracisë dhe parimet e shtetit të së drejtës janë thelbi kryesor i lindjes dhe ekzistencës së PD. Këto parime i kemi mbrojtur gjithmonë, e drejta, e vërteta edhe mund të vonojë. Jam i bindur që kandidatura dhe profili i Roland Bejkos është esenca e asaj çfarë në këto 30 vite PD do të duhej të ishte e çfarë duhet të jetë nesër. Vlera si integriteti, koherenca, idealizmi, kontributi historik, mosbërja kompromis janë vlera që duhet t’i bëjmë së bashku. Kjo është baza me të cilën do të ecim gjatë kësaj fushate në shërbim të Tiranës jo vetëm tani por edhe në të ardhmen”, tha Alibeaj.

SHKARKO APP