Kaos në Milano pas dekretit, qytetarët pushtojnë trena e autobuzë për të ikur (VIDEO)

Shpallja e dekretit nga ana e qeverisë së kryeministrit Conte për të vënë në kontroll koronavirusin duke vendosur në “karantinë” provincat në veri të vendit ka shkaktuar më shumë panik mes banorëve të këtyre zonave.

Mijëra vetë me çanta në duar i janë drejtuar stacioneve të trenave në Milano përpara se të bllokohej totalisht dalja e tyre nga zona e caktuar në dekret. Një pjesë janë ngjitur në trena edhe pa biletë, të gatshëm të paguanin gjobën vetëm që të qëndronin në bord.

Guvernatori i Puljas, Michele Emiliano firmosi një urdhër që i vendos në karantinë të detyruar të gjithë personat e mbërritur nga Lombardia dhe nga veriu i “blinduar“ i Italisë.

Një zemërim popullor ka shpërthyer në rrjet pas pamjeve të publikuara online ku shfaqen njerëz në nxitim për tu larguar nga veriu i Italisë. Njerëzit akuzojnë për paaftësi qeverinë pasi pikat kryesore të dekretit u bënë publike në shumë media përpara se ai të miratohej.

SHKARKO APP