Kapen gjatë shkëmbimit të 36 kg heroine, në pranga 2 shqiptarë dhe 1 bullgar

Policia e qytetit të Milanos ka arrestuar tre trafikantë droge, mes të cilëve dy shqiptarë shqiptarët Shahin Isufi 28 vjeç dhe Florian Lani 39 vjeç si dhe nënshtetasi bullgar Ivan Penchev 26 vjeç.

Në momentin e arrestimit ata po transportonin 36 kg heroinë me një vlerë tregu që kapërcen 2 milion euro. Korrieri bullgar po i dorëzonte këtë sasi droge, dy trafikantëve shqiptarë rezidentë në qytetin e Milanos.

Heroina ishte e fshehur në automjetet me të cilat tre trafikantët udhëtonin, të tipit “Citroen C5” e “Fiat Croma”. Arrestimi i tyre u bë pas një kontrolli rutinë të autoriteteve të policisë së qytetit të Milanos për të garantuar sigurinë e rendin e qytetit në kuadër të Panairit Ndërkombëtar “Expo 2015”.

Droga ishte e fshehur në disa pjesë të autoveturave të modifikuara enkas për trafikimin e lëndëve narkotike.

Në parakolpet e njërës prej makinave lënda ishte pozicionuar në tuba cilindrikë që mund të fshihnin deri më 130 mijë doza.

Ndërsa në automjetin tjetër heroina ishte e fshehur në brendësi të autoradios, e cila bllokohej me anë të kombinimit të një komande të lidhur me kruskotin e makinës.

Automjetet “ Citroen C5” me targë të huaj e “Fiat Croma” me targë italiane rezultojnë në pronësi të personave të tjerë ndaj të cilëve policia italiane po heton ende.

Gjithashtu në kontrollin e bërë në një nga apartamentet e banimit të njëri prej shqiptarëve u gjetën 100 kg kafeinë e paracetamol si lëndë përdoruese në përzierjen e dozave të drogës, një laborator i vogël për përgatitjen e paketimin e lëndës narkotike si dhe 80 mijë euro para të thata.

SHKARKO APP