Kapet 28-vjeçari që furnizonte me drogë lokalet në Sarandë

Një 28-vjeçar është arrestuar pasi iu gjetën 207 gramë kokainë. Mësohet se në pranga ka rënë Xh. H., 28 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë në aksin rrugor Skërficë-Sarandë, ku kokainë iu gjet në makinë, e cila iu sekuestrua së bashku dhe me një celular në cilësinë e provës materiale.

“Finalizohet nga Komisariati i Policisë Sarandë operacioni policor i koduar “Nexus”. Sekuestrohen 207 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë. Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga poseduesi i lëndës narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar “Tempulli 3”, të mbështetura dhe nga inteligjenca operative, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Nexus”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. H., 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në aksin rrugor Skërficë-Sarandë, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit në automjetin e tij i gjetën 207 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, dyshohet se e ndante dhe e shiste lëndën narkotike në doza, kryesisht në lokalet e natës në qytetin e Sarandës.

Lënda narkotike, së bashku me një automjet dhe një celular, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

 

SHKARKO APP