Kapet biznesmeni në Vlorë, në lokal iu gjet “mall” dhe armë pa leje
Një 63-vjeçar është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit antidrogë “Panaja”. Burime nga policia bëjnë me dije se 63-vjeçari banues në Vlorë është arrestuar në flagrancë në lokalin e tij.
Në lokal gjatë kontrollit iu gjetën një sasi lënde narkotike prej 11 kg e 500gr, kanabis sativa dhe një armë gjahu (teke) pa leje.
Njoftimi i Plotë
Finalizohet një tjetër operacion antidrogë i koduar “Panaja”.
Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale.
Goditet një tjetër rast i posedimit të lëndëve narkotike.
Sekuestrohet lëndë narkotike dhe një armë gjahu pa leje.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas ndjekjes me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Panaja”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë në lokalin e tij, shtetasi F. M., 63 vjeç, banues në Panaja, Vlorë.
Gjatë kontrollit në lokalin e këtij shtetasi në fshatin Panaja, u gjet një sasi lënde narkotike prej 11 kg e 500 gr. cannabis sativa, si dhe një armë gjahu (teke) pa lejen e organeve kompetente, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Operacioni vijon për dokumentimin e plotë, si dhe për kapjen e personave të tjetër të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.