Kapet një sasi e madhe droge në Durrës, trafikantit i gjendet dhe një ikonë e vjetër historike

Policia e Durrësit ka vënë nën pranga një 45-vjeçar, i cili u kap me 12 kg kanabis dhe gjatë kontrollit iu gjet edhe një ikonë të vjetër me vlera historike, e kohës bizantine.

Policia njofton se 45-vjeçari, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike dhe përvetësim të mallrave ose parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, dyshohet se e ka vjedhur ikonën e vjetër në një kishë dhe do e shiste kundrejt vlerave monetare.

Gjatë kontrollit të ushtruar, policia i gjeti gjithashtu edhe 12 kg e 150 lëndë narkotike kanabis, ndërkohë që policia vijon punën për kapjen e personave të tjerë të implikua në këtë veprimtari kriminale.

“Strukturat e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara, pas një pune të mirorganizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Ikona”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: Ç. P., 45 vjeç, banues në Kavajë, i dënuar më parë për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Përvetësimi i mallrave ose parave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 12 kg e 150 gr. lëndë narkotike cannabis sativa dhe një ikonë e vjetër me vlera historike (e kohës bizantine), të cilën ky shtetas dyshohet se e ka vjedhur në një kishë dhe do i shiste kundrejt vlerave monetare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Trafikimi i veprave të artit”.

SHKARKO APP