Kapja e 2.6 ton drogë, hetimet shtrihen edhe në Shqipëri
Ngarkesa prej 2.6 tonë marijuanë e kapur një ditë më parë në Mal të Zi në kamionin me targa shqiptare do të hetohet edhe në Shqipëri. Burime bëjnë me dije se shkak janë bërë dyshimet se lënda narkotike e sekuestruar mund të jetë ngarkuar në territorin shqiptar.
Kanë qenë autoritetet malazeze që kanë ngritur dyshimet se një grup kriminal, aktiv në territorin e Shqipërisë, mund të fshihet pas sasisë së drogës që destinacion final kishte Gjermaninë.
Krahas arrestimit të shoferit të kamionit, Ervis Calliku ku u sekuestrua dhe ngarkesa me kanabis, policia ka nisur procedim edhe për një person tjetër, që dyshohet se ka lidhje me sasinë e drogës të bllokuar në rrethinat e Podgoricës.
Një ditë më parë, pas një hetimi disa mujor policia malazeze sekuestroi një sasi prej 2.6 tonë marijuanë e fshehur brenda kamionit që drejtohej nga Ervis Calliku tashmë i arrestuar. Sasia e lëndës narkotike ishte fshehur brenda një ngarkese me fruta perime.