Kapri për protestën e banorëve të Rrjollit: Mundësoni seancë dëgjimore në Komisionet Parlamentare
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri komentoi protestën e banorëve të Rrjollit kundër resortit të Ulajt, e cila u mbajt sot para parlamentit. Kapri tha se prona është cunguar deri në themel, ndërsa kërkoi që banorët të bëjnë një seancë dëgjimore në komisionet parlamentare.
“Banorët e Rrjollit, Durrësit, Bulqizës, Mirditës, Pogradecit, erdhën protestuan sot për çështjen e pronësisë. Ajo që ishte më e çuditshmja që për herë të parë foli Rama për Rrjollin dhe foli me dyer të mbyllura, tha kemi ngritur ne një grup verifikimi dhe aty na del toka e falsifikuar. Pse nuk e bën publike kryeministri këtë gjë? Për më tepër, nuk reagon pas asaj dhune aty me policinë e vet dhe me polici private, të maskuar që i rreh banorët me shkopa gome?
Çfarë vendi është ky për të hyrë në BE? E drejta e pronës është cunguar në themel. Këtu po iu vidhen pronat edhe me 7501, edhe të trashëguar nga gjyshi dhe vendos Edi Rama kush e zhvillon. Krijoni mundësinë që banorët e Rrjollit të bëjnë një seancë dëgjimore në komisionet parlamentare se nuk mund t’i injoroni përjetësisht!”, tha Kapri.
KOHA JONË SONDAZH

