Kasaphana në Elbasan, fisi Mema: Ne nuk kemi gisht

Masakra dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje mes familjes Çapja e Mema dhe nga hetimet paraprake dyshohet se krimi është kryer nga vrasës me pagesë. Por hakmarrja mes dy fiseve nuk është pista e vetme e prokurorisë dhe policisë. Grupi hetimor ka dyshime edhe për larje hesapesh në trafikun e drogës, pistë që lidhet me viktimën Eno Bedalli, i cili ka qenë i arrestuar në Itali si pjesë e një grupi të narkotrafikut.

Dëshmitë e fisit Memaj

Detajet e reja hetimore kanë dalë pas vlerësimit të situatës nga ana e grupit hetimor, që jo vetëm ka këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin ku ndodhi masakra, por edhe ka mbledhur shumë dëshmi. Sipas policisë, një nga veprimet hetimore ka qenë kontrolli i disa shtëpive, prona të fisit Memaj dhe marrja e deklaratave personave të dyshuar si të përfshirë në këtë krim. Megjithatë, ata kanë mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen në krim dhe përballë mungesës së provave, policia ende nuk ka mundur të vendosë ndonjë prej tyre në pranga.

Vrasës me pagesë

Pikërisht përballë mungesës së provave për fisin Memaj, policia ka ngritur dyshimet se masakra e së mërkurës u krye nga vrasës me pagesë. Kjo pistë përforcohet edhe më shumë nga mënyra e të vepruarit të tyre. Burimet nga grupi hetimor thanë se nga kamerat e sigurisë vihet re se autorët kishin studiuar më parë terrenin dhe para lokalit kanë shkuar me kapuça që kamerat të mos kapin fytyrat e tyre. Po ashtu, makina nuk është afruar te kamerat që të mos administrohen të dhëna identifikuese për të. Ndërkohë, pas krimit, autorët kanë hedhur armët, në të cilat nuk janë gjetur gjurmë, duke sjellë kështu një sërë faktorësh që të çojnë të mendojnë se ata janë vrasës profesionistë.

Nga ana tjetër, pavarësisht hetimeve të policisë, të afërmit e të plagosurve deklarojnë se ata e njohin porositësin e këtij atentati ndaj të afërmve të tyre. “E dimë kush na ka sulmuar, por kurrë nuk mendonim se do të tentonin të shuanin fisin tonë”, u shpreh një nga të afërmit e Florenc Çapjas, i cili qëndronte në hollin e reanimacionit në Spitalin e Traumës. Familjarët kanë qenë të traumatizuar nga sulmi me armë që i ndodhi fisit Çapja dhe herë pas here, ata druheshin se dikush nga fisi Memaj i ka ndjekur edhe në spital. Ndërkohë, policia ka vëzhguar gjatë gjithë ditës spitalin, duke mos lejuar kontakte të medias me të plagosurit.

Pista e drogës

Por, pavarësisht se dyshimet kryesore lidhen me hakmarrjen, policia nuk përjashton pistat e tjera hetimore, si ajo e trafikut të drogës. Kjo, për shkak se një nga viktimat e kësaj vrasjeje, Eno Bedalli, ka qenë i arrestuar në 2013-n si pjesë e trafikut të kokainës nga Holanda në Itali. Sipas mediave italiane, rezulton se 38-vjeçari Bedalli, i njohur si mik i familjes së Agron Çapjas, tashmë edhe ky i vrarë, është arrestuar në qershor të 2013-s në Itali. Bedalli ishte pjesë e një rrjeti që merrej me trafikun e kokainës në veri të Italisë. Mediat, në kohën e arrestimit të tyre, njoftuan për prangosjen e grupit prej 10 personash, ku bënte pjesë edhe Bedalli. Sipas drejtësisë italiane, Bedalli së bashku me grupin ku bënte pjesë, dyshohet se kanë trafikuar rreth 31 kg kokainë, që kap vlerën e 10 milionë eurove. Droga thuhej se trafikohej nga Holanda në Itali dhe më pas banda ku bënte pjesë Bedalli bënin shpërndarjen në sasi të vogla në qytetet si: Asti, Udine, Breshia, Savona, Xhenova, Piza, Parma dhe Milano. Por nuk ka asnjë informacion sesi është bërë lirimi i tij, ndërkohë që policia shqiptare nuk ka pasur informacion për përfshirjen e tij në grupe kriminale në Itali.

Aktivitetet në Elbasan

Policia i ka cilësuar edhe më herët këto dy fise si “oligarkë” të krimit, të cilët terrorizojnë qytetin prej disa vitesh. Ata zotërojnë kryesisht pika të shumta lojërash fati. Po ashtu, kompleksi i tyre është i njohur prej kohësh. Një nga personat e vrarë, Agron Çapja, njihej dhe si një prej “padrinove”. Policia ka pasur dyshime se ai zotëronte linja të vjetra të trafikut të drogës dhe prostitucionit. Kurse Florenc Çapja, nipi i Agronit, një nga personat e mbetur të plagosur, u akuzua rreth katër vite më parë për vrasjen e biznesmenit Gentian Beqiri në vitin 2005. Dyshohet se i riu ishte dhe shënjestra kryesore e atentatit. Edhe pse Çapja u akuzua për kryerjen e vrasjes së dyfishtë, prokurori nuk arriti ta faktonte me prova një gjë të tillë. Kurse vetë i akuzuari pretendonte se ditën e ngjarjes ndodhej në Maqedoni. E gjitha kjo veprimtari duket se ka ndikuar në masakrën e dy netëve më parë, që duket se nuk mbaron këtu.

Marrë nga Shqip/

SHKARKO APP