Kastriot Dervishi: Mos prisni që me hapjen e dosjeve, të zbulohet se “filani ka vrarë filanin”

Sipas tij, ka përfytyrime se po u hapën ato, do të zbulohen krimet.

Por, Dervishi, duke folur për gazetën “Shekulli”, thotë se kjo është e pamundur.

Shërbimet sekrete shqiptare kanë qenë një nga temat e mia studimore nga viti 1922, kur janë krijuar në Shqipëri e deri ditët e sotme. Nisur nga kjo përvojë e kam shumë të lehtë njohjen, kuptimin dhe interpretimin e çështjeve që ngrihen.

Nuk është hera që parë që zhvillohet ky debat. Të gjithë diskutimet për “hapje dosjesh” kanë një gjë të përbashkët se flitet jo konkretisht, herë nga emocion e herë nga inati.

Nga subjektet e përndjekura flitet se “po u hapën dosjet” do dënohet krimi komunist, do vihet drejtësia në vend, etj. Në fakt “krimi” shpesh herë ka shëtitur në mes të Tiranës dhe nuk u pa ndonjë reagim. Nga subjektet persekutore, thuhet se le të hapen dosjet se partia paraardhëse nuk i hapi, etj. Në rastin më të mirë të “hapjes” së përgjithshme të dosjeve, nuk do të kemi as dënim krimi e as ndonjë gjë tjetër, pasi lexim të menjëhershëm dhe dënim automatik nuk është parë të ndodhi gjëkundi. Kam përshtypjen se imagjinata njerëzore shkon në përfytyrime dosjesh ku do të gjesh gjëra të llojit “unë filani po vras sot filanin”, etj.

Përvoja europiane tregon se atje nuk është trajtuar çështja e bashkëpunëtorëve në kuptimin e dekonspirimit masiv të tyre. Me “hapje dosjesh” nuk duhet të kuptohet dekonspirimi i ish- rrjetit sekret, por i dosjeve të përpunimeve (personave që janë ndjekur me dosje për shkaqe politike). Në kuptim të ligjit të lustracionit, ligjvënësi mund të vendosë të përjashtojë nga funksionet publike p.sh. ish drejtuesit e lartë të Partisë së Punës, oficerët e Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorët e rrjetit sekret, etj.

Kjo i takon ligjvënësit ta diskutojë. Por ligjvënësi nëpërmjet ekzekutivit mund të nxisë komisionet përkatëse të marrin vendime për të përmbyllur një proces deklasifikimi pa qenë nevoja të hyjë në çështje që nuk i takojnë”, thotë Dervishi.

SHKARKO APP