Kastriot Islami: Shkenca kundër “nacionalizmit”. Cilësi para sasisë, humanizëm para burokracisë
(Botuar me 24 Dhjetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Kastriot Islami-
Jeta dhe veprimtaria e gjermanit Aleksandër Von Humbold ( 1760-1859) është ajo e shkencëtarit të talentuar dhe të apasionuar pas shkencës, por që ndikoi dhe dha gjithashtu një ndihmesë të vyer në politikën e shtetit gjerman duke patur si synim kryesor rritjen e kontakteve e të shkëmbimeve midis shkencëtarëve në nivel ndërkombëtar. Më 10 Dhjetor 1953 rithemelohet për herë të tretë fondacioni Aleksandër Von Humbold nga Conrad Adenauer i cili mbante në atë kohë edhe postin e Ministrit të Jashtëm në Qeverinë e Republikës Federale Gjermane. Ai pati nderin në atë moment historik për fondacionin që të emërtonte si president të parë një nga figurat më të shquara në fushën e shkencës botërore dhe mbajtësin e cmimit novel në fizikë gjermanin Ëuerner Heizenberg. Synimi i Conrad Adenauerit ishte nxitja e politikës së jashtme në rrafshin kulturoro-shkencor në kuadrin e ridimensionimit të politikës së jashtme gjermane në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore ndërkohë që fiziknati Ëuerner Heizenberg kishte për qëllim të promovonte kooperimin e bashkëpunimin midis shkencëtarëve gjermanë e të huaj. Në ato momente ishte tepër e vështirë të parashikohej suksesi dhe fama që gëzon aktualisht fondacioni, por mbi bazën e një konceptimi të drejtë të mbështetur në traditën gjermane dhe në një punë sistematike e të vazhdueshme mund të thuhet pa asnjë hezitim se fondacioni Aleksander Von Humbold është një fondacion prestigj nga më të famshmit në botë për të mos thënë më i famshmi përsa i përket nxitjes së kontakteve të shkencëtarëve të rinj me perspektivë në nivel ndërkombëtar.
Aleksandër Von Humbold – Ambasador jo zyrtar i shkencës gjermane
Në fund të shekullit 18 dhe në fillim të shekullit 19, Aleksandër Von Humbold kreu shumë ekspedita dhe zhvilloi një aktivitet shkencor eksplorues në mjaft vende të botës. Ai ishte në këtë mënyrë sic thuhet në studimet e mjaft historianëve të jetës e veprës së tij një ambasador jo zyrtar i shkencës gjermane në të gjithë botën duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në lidhjen e shkencës më të përparuar gjermane me atë të vendeve më të zhvilluara të botës. Bindja e tij e patundur ishte se kërkimi shkencor ka karakter ndërkombëtar dhe se shkencëtarët e talentuar duhet të mbështeten e sponsorizohen në nivel ndërkombëtar. Për Humboldin shkenca nuk duhet të ketë kufij nacionalë dhe gjithshka e zbuluar nga shkencëtarët duhet të aplikohet në shkallë ndërkombëtare dhe të analizohet e vlerësohet jashtë kufijve nacionalë. Pra për Humboldin, nacionalizmi është në kundërshtim me nacionalizmin sepse shkenca nga vetë natyra e saj po ashtu si edhe shkencëtari i talentuar nuk mund të konceptohen të izoluar qoftë edhe brenda kufijve të një shteti sado i madh qoftë. Kjo filozofi e Aleksandër Von Humboldit është bërë e pavdekshme nëpërmjet themelimit të fondacionit Aleksandër Von Humbold.
Fondacion i mbështetur mbi talentin e shkencëtarëve të rinj me perspektvë
Ndërtesa e këtij fondacioni është ngritur me elemente të tilla ku tulla themelore është talenti i shkencëtarit të ri që premton me nivelin e tij të kthehet në një ndërlidhës dhe mesazher në nivel ndërkombëtar. Mbi këtë bazë Fondacioni synon të mbështesë atë grup të vogël të shkencëtarëve të talentuar dhe me nivel shkencor mjaftueshmërisht të lartë në dosjen e të cilëve cilësia qëndron mbi sasinë. Programet e mbështetura nga fondacioni janë të hapura për të gjitha fushat e shkencës e teknikës dhe nuk ka kuota të paracaktuara për cdo vend; vendimet e komisionit selektiv të përbërë nga shkencëtarët gjermanë më të famshëm merren mbi bazën e kritereve akademike duke synuar përzgjedhjen e talenteve premtuese. Pavarësia e fondacionit është tërësisht e garantuar dhe nuk ka asnjë lidhje me simpatitë apo preferencat politike të shtetit gjerman.
Fondacion pa rival por me partner tepër të fuqishëm
Një prej funksionarëve të lartë të fondacionit Aleksandër Von Humbold e ka përcaktuar rolin e tij me këto terma: “Fondacioni është Rolls Royce i politikës kulturore gjermane jashtë Gjermanisë”. Ndonëse fondacioni i sigurion sponsorizimet kryesisht nga shteti gjerman dhe institucionet e fondacionet e tjera gjermane ai ndjen një sadisfaksion të vecantë në rastet kur aktivitetet e saj gjejnë mbështetje në nivel ndërkombëtar. Duke synuar të ruajë famën e tij mbi bazën e cilësisë së lartë intelektuale programet e këtij fondacioni veprojnë në një sferë relativisht të ngushtë, duke e arritur të mbështetin në cdo vit aktivitetin shkencor të rreth 500 shkencëtarëve të rinj dhe rreth 200 laureatëve të cmimit Aleksandër Von Humbold, gjithashtu rreth 200 shkencëtarë gjermanë mbështeten cdo vit nëpërmjet bursave Fjodor Lynen për të zhvilluar aktivitetin e tyre shkencor jashtë Gjermanisë. Ky fondacion “i vogël”nga përmasat nuk ka synuar asnjëherë të bëhet “gjigand”. Por në mënyrë të vazhdueshme ai ka punuar për t’u bërë i rëndësishëm dhe i “rëndë”. Ai është një fondacion që nuk ka asnjë rival tjetër në Gjermani, ndërkohë që Matz Plantz Society, German Research Society dhe German Academic Exchange Service janë partnerët e saj më të ngushtë duke realizuar një bashkëpunim dhe kordinim të programeve të tyre shkencore. Në nivel europian rivali i ri është Komuniteti Europian nëpërmjet programeve të ndryshme të sponsorizuara prej tij po që ende ndodhet në fazën e parë të ekspansionit ndërkohë që dimensionet më të vogla të fondacionit Aleksandër Von Humbold, tradita e tij tashmë tepër e gjatë si dhe operativiteti, dinamizmi e shpejtësia e veprimeve të tij i japin një pozitë ende më të favorshme. Në nivel ndërkombëtar vetëm pak kohë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Gjermania rreth vitit 1950 filloi të luante përsëri në fushën e shkencës rol të rëndësishëm, aktualisht shkenca gjermane gëzon një reputacion po aq të lartë sa brenda po ashtu dhe jashtë Gjermanisë. Kështu në këtë kontekst në vende të ndryshme të botës janë ngritur e funksionojnë rregullisht rreth 60 klube me ish bursantë të fondacionit Aleksandër Von Humbold, gjë që tregon se fondacioni posedon një potencial njerëzor tepër të fuqishëm i cili nxit shkëmbimet jo vetëm në planin shkencor, por edhe në atë kulturor midis Gjermanisë dhe shteteve të tjera të rruzullit.
Konceptimi aktual i Fondacionit – përpunim i perspektivës afatgjatë të shkëmbimeve me vendet ish komuniste
Qëllimi dhe synim i i fondacionit në mënyrë të vazhdueshme ka mbetur zgjerimi dhe rritja e numrit të bursantëve, por duke vendosur gjithmonë cilësinë mbi sasinë. Por ky synim është determinuar nga fondet që ka mundur të sigurojë fondacioni qoftë nga shteti, qoftë nga lidhjet e tij me institucione apo fondacione brenda ose jashtë Gjermanisë. Me ribashkimin e Gjermanisë dhe me rënien e bllokut ish komunist, buxheti i fondacionit nuk ka pësuar rritje të shënueshme ndërkohë që një rritje drastike e numrit të shkencëtarëve të aftë nga këto vende është shënuar si rezultat i politikave më të hapura të aplikuara nga qeveritë e tyre dhe të rritjes së shkëmbimeve shkencore Lindje-Perëndim. Ndonëse nga statistikat e fondacionit vihet re një zhvendosje e qendrës së gravitetit në drejtim të kandidatëve nga vendet ish komuniste, fondacioni ka arritur të ruajë ekuilibrin pa neglizhuar kandidatin e talentuar nga vendet e tjera. Fondacioni ka tentuar gjatë kësaj periudhe të sigurojë fonde të mjaftueshme për një shtesë prej 100 bursantësh gjë që do ta zbuste fluksin e madh të shkencëtarëve të talentuar nga vendet ish komuniste të Evropës Qendrore e Lindore. Kjo komponente e re konceptohet si mjaft e rëndësishme për shkencën gjermane dhe perspektivën afatgjatë të shkëmbimeve kulturoro-shkencore në vendet e bllokut ish komunist.
Shifrat gjigande të një fondacioni të “vogël”
Prej mëse 40 vjetësh fondacioni Aleksandër Von Humbold ka sponsorizuar rreth 16 mijë shkencëtarë të rinj deri në moshën 40 vjec nga vende të ndryshme të botës dhe rreth një mijë shkencëtarë gjermanë. Ata në periudha 1-2 vjecare kanë patur mundësinë të zhvillojnë aktivitetin e tyre kërkor-shkencor në laboratoret më të famshëm të Gjermanisë me statusin e shkrimtarit-mik. Nga programet e këtij fondacioni shkencëtarët nga të gjitha fushat e shkencës dhe nga rreth 120 vende të botës kanë përftuar bursa, të shpërndara konkretisht rreth katër mijë në fushën e shkencave shoqërore, rreth 10 mijë në fushën e shkencave natyrore dhe rreth 2 mijë në fushën e shkencave inxhinierike. Pjesa më e madhe e tyre në fund të stazhit në Gjermani janë kthyer në gjermano-folës. Numri i publikimeve duke qenë mesatarisht rreth 2 artikuj në vit për cdo kandidat ka arritur vlerën rreth 32 mijë në mëse 40 vjet. Ky bashkëpunim ka patur edhe komponentët e vet simetrike: rreth 10 mijë shkencëtarë, profesorë apo studentë gjermanë kanë marrë pjesë nëpërmjet programeve të fondacionit Aleksandër Von Humbold të ftuar nga ish bursantët humboldianë në projekte të përbashkëta shkencore. Aktivitetet e fondacionit gjatë kësaj periudhe janë financuar me masën rreth 1 miliard marka gjermane duke pasur si sponsore kryesore Ministrinë Federale të Shkencës e Teknologjisë, Ministrinë e Arsimit e Shkencës dhe Ministrinë e Bashkëpunimit e të Zhvillimit si dhe Fondacionin Krupp, fondacionin e Volsvagenit.
Në vend të epilogut sekret i suksesit – cilësi para sasisë dhe humanizëm para burokracisë
Presidenti aktual i fondacionit Aleksandër Von Humbold është profesor doktor Reinmar Lust i cili ka kryer studimet në fushën e fizikës në Universitetin e Frankfurit mbi Main dhe më tej është lauruar në fushën e astrofizikës duke mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Gëtingenit e më tej më 1960 bëhet antar i Institutit Maks Plank të astrofizikës në Mynih. Në postin e drejtorit dhe më tej të zv/presidentit të organizatës evropiane për kërkime speciale dhe drejtor i përgjithshëm i agjensisë Spaciale në vitet 1984-1990 profesor Lust luajti një rol esencial në kërkimet shkencore spaciale në nivel evropian. Si presidenti i katërt i fondacionit Aleksandër Von Humbold profesor Lust erdhi në momentin e ndryshimeve në Evropën Qëndrore dhe Lindore dhe kur u realizua ribashkimi i Gjermanisë, duke u ndeshur në këtë mënyrë me detyra dhe përgjegjësi te reja. Ja si profesor Lust e mbyll diskutimin e tij me rastin e 40 vjetorit të themelimit të fondacionit Aleksandër Von Humbold:
Shpresoj se konfidenca e partnerëve tanë në Gjermani dhe jashtë saj i që i kanë dhënë fondacionit Aleksandër Von Humbold do të vazhdoje edhe në dekadat e ardhshme duke bërë realitet e përkrahur legjitimitetin e Conrad Adenaurit dhe Ëerner Heizenbergut: një kombinim i suksesshëm i koperimit akademik internacional dhe politikës së jashtme kulturore. Faleminderit për forcën e cilësive akademike e humane të të gjithë paraardhësve të mi. Kurse në ceremoninë e përshëndetjes drejtuar ish sekretarit të përgjithshëm dr.Heinrch Pfeiffer një prej figurave më të spikatura të fondacionit Aleksandër Von Humbold me rastin e largimit të tij nga ky post dhe emërimit të dr. Manfred Osten profesor doktor Reinmar Lust duke evidentuar disa nga cilësitë e zotit Pfeiffer që ndërkohë interferonin me ato të vet fondacionit ndër të tjera theksoi:
Sekreti i suksesit të tij i dedikohet cilësive inherent të vet Heinrch Pfeiffer iniciativës, imagjinatës, energjisë dhe një memorje brilante. Duhet të shtoj gjithashtu edhe mënyrën se si Heinrch Pfeiffer arriti të kombinojë rregullën e artë të fondacionit me jetën e tij: “Cilësi para sasisë”dhe “Humanizëm para burokracisë”.
Dr. Kastriot Islami