Katër qendra shëndetësore të hapura 24 orë për fëmijët, ministrja Koçiu: Në shërbim edhe gjatë festave të fundvitit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se janë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e shtuar të virozave tek fëmijët për shkak edhe të uljes së temperaturave. Pas takimit me mjekët dhe drejtuesit e strukturës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ministrja Koçiu deklaroi se “ne kemi marrë të gjitha masat që të mos kemi fluks të shtuar vetëm në urgjencën pediatrike të QSUNT-së, por edhe në katër qendra shëndetësore që janë të shtrira në qytetin e Tiranës, në mënyrë të tillë që të organizojmë një mbulim sa më të plotë të qytetit dhe të nevojave që prindërit e fëmijëve kanë”.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se katër qendra shëndetësore do të ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditët e javës për fëmijët. “Janë katër qendra në dispozicion të cilat funksionojnë 24/7, pra përgjatë gjithë ditëve të javës, me tre turne pikërisht për të ofruar urgjencat dhe vizitat pediatrike për fëmijët. Janë Qendra Shëndetësore numër 6 në Kombinat, Qendra Shëndetësore numër 7 në Laprakë, Qendra Shëndetësore numër 8 pranë sheshit ‘Wilson’ dhe Qendra Shëndetësore numër 10 tek zona e Oxhakut”, – tha Koçiu.

Koçiu u bëri apel prindërve që t’u drejtohen këtyre qendrave shëndetësore për të marrë shërbimin e parë për fëmijët e tyre. “Do doja t’i bëja një apel të gjithë prindërve që të drejtohen pranë këtyre qendrave për të marrë shërbimin e parë dhe të specializuar për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të tyre dhe për të mos shtuar fluksin në urgjencën pediatrike në QSUNT dhe për të shmangur kështu edhe radhët dhe ankthin që vjen nga sëmundja apo ankthi që shkaktohet nga një fëmijë që mund të ketë një virozë kalimtare të stinës”. Ministrja nënvizoi se shërbimi në këto qendra shëndetësore do të vijojë edhe gjatë ditëve festive të fundvitit.

SHKARKO APP