Katër të vrarë në Durrës, burg për Ndocin
Altin Ndoci, njeriu i arrestuar dhe akuzuar nga Prokuroria e Durrësit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, do të vijojë të qëndrojë në burg. Ndoci ka pretenduar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen por prokuroria ka shprehur qëndrim të palëkundur.
Nga ana tjetër, Ndoci akuzohet nga Prokuroria edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit. Në pranga për këtë ngjarje ka rënë dhe i riu Klevis Alla, i cili tashmë ka pranuar të bashkëpunojë me policinë e Durrësit, duke treguar mënyrën sesi kanë kryer vrasjet, vendin e hedhjes së armëve, braktisjen e makinës së krimit dhe emrat e personave që kanë marrë pjesë në vrasje.
Policia dhe prokuroria e Durrësit vijojnë të hetojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë. Motivi kryesor që dyshohet për kryerjen e dy krimeve me 4 viktima ka qenë konflikti për drogën dhe modifikimi i makinave të vjedhura në servise.