KE: CEZ, nuk ishte kusht për statusin kandidat

Komisioni Europian insiston se çështja CEZ nuk ka qenë ndonjëherë parakusht për kandidaturën e Shqipërisë në BE.

“Komisioni Europian ka thënë qartazi se progresi mbi një numër çështjesh të sundimit të ligjit ishte parakushti për Shqipërinë që t’i jepej statusi kandidat; çështja CEZ nuk kishte lidhje me këtë parakusht”, nënvizon zëdhënësja Maja Koçijançiç.

“Posaçërisht mbi CEZ, Komisioni Europian ka mbështetur gjithmonë një marrëveshje miqësore që kënaq të dy palët në ujdinë e përplasjes mes kompanisë energjetike CEZ dhe qeverisë së Shqipërisë mbi licencën e bartjes së veprimeve të CEZ si Operator i Sistemeve të Shpërndarjes në Shqipëri. Marrëveshja e arritur në Qershor 2014 duhet të nxisë më shumë qeverinë shqiptare për të ndjekur reformat tepër të nevojshme për sektorin e elektricitetit, duke synuar garantimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe përputhshmërinë me kriteret e Komunitetit Energjetik”, shtoi Koçijançiç.

Nga ana tjetër, komisioni konsideron se miratimi i ligjit të ashtuquajtur për dekriminalizimin “është një çështje e rëndësishme për t’u zgjidhur, që duhet trajtuar sa më parë. Rregullat e qarta janë të domosdoshme në këtë kuadër”.

“Ndërkohë që legjislacioni përkatës po përgatitet, është me rëndësi që partitë politike dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të shtuar besimin e qytetarëve tek institucionet publike,” shprehet zëdhënësja e KE-së, pak ditë përpara publikimit të raportit të progresit për vendin, ku sërish nuk pritet të ketë një rekomandim pozitiv për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

 

SHKARKO APP