
Komisioni Europian i kërkon Shqipërisë të rishikojë praktikën e përdorimit të paraburgimit, duke vënë në dukje se kjo masë vijon të jetë alternativa kryesore shtrënguese ndaj personave nën hetim dhe atyre që presin të dalin në gjyq. Në progresraportin për Shqipërinë, KE thekson se institucionet duhet të shtojnë përdorimin e masave alternative ndaj paraburgimit dhe të garantojnë zbatimin e tyre në mënyrë më efektive.
Shqetësime ngrihen edhe për respektimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar. Sipas raportit, problematika mbeten informimi i tyre gjatë procedimit penal, garantimi i prezumimit të pafajësisë, aksesi te avokati që në fazat e para të hetimit dhe sigurimi në kohë i ndihmës juridike.
Një tjetër rekomandim lidhet me rikthimin urgjent të monitorimit elektronik, i cili është pezulluar që prej vitit 2019. Ky mekanizëm konsiderohet i nevojshëm për të mbikëqyrur zbatimin e masës së arrestit në shtëpi dhe respektimin e detyrimeve nga personat që janë në shërbim prove. Komisioni Europian kërkon një qasje më proporcionale në zbatimin e masave të sigurisë dhe forcimin e garancive për të drejtat e personave në proces penal.
