Kë prek Covid-19? Rakacolli: Më shumë meshkujt. Tamponët nuk bëhen thjesht për merak
Lidhur me situatën në vend dhe pyetjeve të shqiptarëve që lidhje me Covid-19, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli thotë se në vend nuk ka mungesë tamponësh për të bërë analizën e COVID-19. Nga ana tjetër, ajo thekson se tamponët nuk bëhen me kërkesën e qytetarëve, thjesht për merak, në kushtet kur jemi në një pandemi që është shtrirë në të gjithë botën.
“Tamponi ka kuptim të merret kur rasti është i dyshuar, kur infeksioni është i vogël, jo kur është pandemik ku është shpërndarë në të gjithë botën. Në kushte pandemie jemi në kushte që jemi të gjithë të rrezikuar. Mund ta bësh tamponin tani dhe të dalësh nesër jashtë e ta marrësh virusin. Në kushtet e pandemisë këshillohet që tamponi të bëhet në ato raste kur ka rast të dyshuar, OBSH ka përcaktuar rastet kur quhen të dyshuar; ata që paraqiten me shenja të rënda, temperaturë, probleme me frymëmarrjen dhe kanë histori lidhjeje me vendet e prekura. Kemi tampon137 për të gjitha rastet e dyshuara, në pandemi ka kritere të përcaktuara për të bërë tamponin”,-tha në “A2Cnn”.
Sa i përket të dhënave gjinore apo moshore të personave që kanë gjasa të preken më shumë nga ky virus, zv/ministrja tha se duke nisur nga rasti i Shqipërisë po edhe asaj që ka ndodhur në botë, më të prekur nga kjo sëmundje rezultojnë meshkujt dhe moshat mbi 75-vjeç, edhe pse në rastin e Shqipërisë janë prekur grupmosha më të reja. “Në të dhënat që kemi deri tani, trendi i gjinisë është si në gjithë botën, më shumë meshkujt se femrat, nga ana tjetër kemi më shumë të prekur njerëz me sëmundje të tjera shoqëruese, hipertensioni, diabeti etj. Në botë preken më shumë moshat mbi 75 vjeç. Në Shqipëri kjo moshë është më poshtë, pasi këta persona kanë udhëtuar jashtë, të moshës 50-60 vjeç”.