KE studion marrëveshjen Itali-Shqipëri për refugjatët, ekspertët: Nuk përputhet me ligjet e BE-së
Parkimi i emigrantëve jashtë BE-së, teksa analizohen kërkesat e tyre për azil. Italia i hapi rrugë kësaj mundësie dhe vende të tjera mund ta ndjekin. Qeveria italiane arriti një marrëveshje me atë shqiptare për të ndërtuar në vendin tonë dy qendra pritëse, për 3 mijë persona, mes të cilëve ata të shpëtuar në Mesdhe nga autoritetet italiane, me përjashtim të të miturve, grave shtatzëna dhe atyre me aftësi të kufizuara.
Pavarësisht lokalizimit në territorin shqiptar, qendrat do të funksionojnë sipas ligjeve italiane, gjë që mund të përbëjë shkelje të ligjeve të BE-së. Komisioni Evropian po tregohet i kujdesshëm lidhur me çështjen; pas thuajse një jave, analizimi i dokumentit me 9 faqe është ende në vazhdim. “Jemi në kontakt me autoritetet italiane për këtë çështje. Sapo kemi marrë protokollin e nënshkruar mes autoriteteve italiane dhe shqiptare dhe po e shqyrtojmë atë. Ndaj nuk mund të kaloj në detaje pa e përfunduar”, thotë Anitta Hipper, zëdhënëse e KE-së për punët e brendshme.
Ndërkohë, ideja po merr dhen nëpër Evropë. Qeveria gjermane po e eksploron këtë mundësi, edhe pse me rezervime nga radhët e socialistëve. Ndërsa Austria po i sugjeron Komisionit të mundësojë që procedurat e azilit të mbahen jashtë Evropës, sikurse tha ministri i Brendshëm Gerhard Karner pas një marrëveshjeje me Britaninë për emigracionin.
Danimarka shkoi edhe më tej duke miratuar një ligj që e lejon shqyrtimin e kërkesës së azilkërkuesve me mbajtjen e tyre jashtë Evropës, edhe pse nuk ka gjetur ende një vend partner. Për ekspertët, shqyrtimi ekstra-territorial i aplikimeve për azil nuk është një ide e re në Evropë, por deri tani ka dështuar.
“Nëse shohim historinë, këto propozime nuk kanë ecur për një mori arsyesh. Ka çështje ligjore sa i takon impaktit ndaj mbrojtjes së të drejtave themelore, por edhe aspekte politike, morale dhe praktike, që i penguan këto ide të zbatoheshin”, shprehet Alberto Horst Neidhardt, analist, Qendra e Politikave Evropiane. Këto lloj marrëveshjes do të promovohen sërish në të ardhmen, por do të duhet që të përputhen me ligjet e reja të BE-së mbi emigracionin, të cilat janë duke u diskutuar. /Euronews Albania/