Këmbana 184 ra, po për kë bien vallë këto këmbana?

Nga Meri Lika

Dosja 184 na tregoi edhe një herë se “diktatorët” e shekullit XXI kanë karakteristikën e përbashkët që i njoftojnë dhe i promovojnë krimet që do të kryejnë, madje dhe i publikojnë ato ndërkombëtarisht, dhe pasi i kryejnë përfundojnë duke t’i imponuar ato si një agjendë politike. Kjo është një strategji e qeverive për të paraqitur krimet shumëngjyrëshe si ngjarje politike, me qëllimin e vetëm që të mbeten në pushtet për një kohë të pacaktuar pa u ndëshkuar.

Ky është rasti i veprës kriminale që ne thjesht e quajmë “zgjedhje parlamentare”. Unë këmbëngul që tek ne nuk ka zgjedhje, janë thjesht votime në të cilat qytetari është i detyruar të votojë, por nuk mund të zgjedhë. Qytetari voton, por nuk zgjedh. Politikanët na shkelin duke na shfuqizuar vullnetin, i cili zëvendësohet dhe/ose manipulohet përmes mashtrimeve, falsifikimeve dhe krimeve që shkatërrojnë të drejtën universale të votimit, barazinë e njerëzve, dhe në këtë mënyrë i bëjnë zgjedhjet “të lira dhe të ndershme” të pamundura.

Partitë politike e kanë bërë manipulimin e zgjedhjeve përmes krimit, një nga elementët e tyre themelorë. Qeveritë tona gjithmonë janë vendosur në konceptin e “diktaturës elektorale”, të cilën po e përkufizoj si regjim që me forcë ose dhunë përqendron të gjithë pushtetin politik në një person apo grup, i cili shtyp të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, që përdor zgjedhjet si një mjet simulimi dhe propagande për të qëndruar në pushtet për një kohë të pacaktuar.

Qeveritë tona përdorin “mashtrimin sistematik” të cilin sa herë iu intereson e fusin edhe në kushtetutë duke e ndërruar Ligjin themelor më shpesh ne ndërrimi i çarçafëve në një resort me pesë yje, apo e përligjin me ligje dhe kode famëkeqe për të shtrembëruar të drejtën univerale, votimin, dhe për ta bërë atë të zhduket ndërsa ata shuajnë barazinë e qytetarëve dhe manipulojnë ligjet për të ndërtuar shumicë absolute me pakica të falsifikuara.

Qeveritë përdorin “mashtrimin faktik” ose, në fakt, detyrojnë qytetarët të votojnë duke i kërcënuar me vendin e punës, me presion mbi urinë dhe nevojat jetike, me përdorim të dhunës, me manipulim teknologjik të rezultateve, me bashkëpunim të “kundërshtarëve funksionalë”, me mosekzistencën e autoriteteve të paanshme, me falsifikimin e listave zgjedhore dhe shumë e shumë të tjera.

Pas vendimit për dosjen 184 gjithmonë e më shumë po përjetojmë faktin se qeveritë tona në më shumë se 30 vjet pretendojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut ndërkohë që bëjnë ndalime të paligjshme njerëzish të thjeshtë që protestojnë por nuk dënojnë kriminelin që na deformon votën. Tek ne mosndëshkimi po bëhet normal, paçka se në vetëdijen tonë si popull kjo na gjeneron indinjatë, pasiguri, frustrim dhe impotencë se jemi duke jetuar në një “gjendje të pambrojtjes” e cila përsëritet e përsëritet pa u ndalur.

Përballë krimeve periodike që qeveritë tona i quajnë “zgjedhje”, ne populli jemi të pambrojtur. Gjendja e pambrojtjes është situata në të cilën vendoset personi i cili pengohet ose kufizohet padrejtësisht të mbrojë të drejtën e tij dhe pasoja është “pavlefshmëria e veprimit”. Jurisprudenca (le ta konfirmojnë jursitët) përcakton se në shtetin e pambrojtur qytetari është i pambrojtur ose i pafuqishëm, domethënë pa mjete fizike ose ligjore të mbrojtjes ose me mjete të pamjaftueshme për t’i rezistuar ose për ta sprapsur agresionin, shkeljen e së drejtës së tyre themelore.

Këmbana 184 ra, po për kë bien vallë këto këmbana!?

SHKARKO APP