“Kemi frikë çdo ditë”, banorët e Luzit ngrihen kundër rrugës së degraduar

Banorët e fshatit Luz, së bashku me përfaqësues të bizneseve lokale, kanë dalë në protestë për të kundërshtuar gjendjen e rëndë të rrugës që përshkon zonën dhe e lidh atë me autostradën dhe pjesën tjetër të vendit. Rruga, e cila është pjesë e Unazës së Madhe të Fushë-Krujës, prej vitesh ndodhet në kushte të degraduara, kryesisht për shkak të qarkullimit të pandërprerë të mjeteve të rënda që shërbejnë për aktivitete industriale si fabrikat e çimentos dhe guroret.

Sipas banorëve, situata është denoncuar vazhdimisht pranë institucioneve përkatëse dhe ata kanë marrë premtime se rruga do të rikonstruktohej që në muajin tetor, por deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete.

Protestuesit kërkojnë rindërtimin e plotë të segmentit rrugor dhe kufizimin e lëvizjes së kamionëve me tonazh të lartë, duke theksuar se gjendja aktuale përbën rrezik serioz për jetën e banorëve dhe veçanërisht për rreth 150 nxënës të shkollës “Gjon Luka”, e cila ndodhet pranë rrugës. Ata shtojnë se trotuaret e ngushta e bëjnë lëvizjen e fëmijëve dhe këmbësorëve jashtëzakonisht të pasigurt.

Swiss Digital Desktop Reklama

Banorët shprehen se rreth 1 000 persona jetojnë përgjatë këtij aksi rrugor dhe se përballen çdo ditë me pasoja të rënda nga pluhuri gjatë verës dhe balta apo akulli gjatë dimrit. Sipas tyre, kalimi nëpër trotuare është i rrezikshëm për shkak të qarkullimit të vazhdueshëm të kamionëve të rëndë. Protestuesit u bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore dhe institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht dhe të japin një zgjidhje konkrete këtij problemi.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?