Këngëtari Niko Vertis mbërrin në Tiranë, Veliaj: Ju presim të gjithëve nesër në koncert tek ”Arena Kombëtare”

Këngëtari i njohur grek, Nikos Vertis ka mbërritur në Tiranë, ku nesër në mbrëmje do të mbajë një koncert në stadiumin “Air Albania”. A e dini që ylli i muzikës greke ka një lidhje te veçante me shqiptarët dhe Shqipërinë? Teksa u prit sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ky i fundit zbuloi nje “sekret”, kur tha se emri i vërtetë i Vertis është Nikos Arvanitidis, është arvanitas nga gjyshi me origjinë.

“Jam shumë i lumtur që Nikos Vertis është më në fund në Tiranë! Përgatitjet për koncertin nesër po shkojnë shumë mirë dhe mezi presim t‘ju shohim të gjithëve atje. Besoj se do të jetë një mbrëmje e paharruar. Ajo që nuk dini është se emri i artit i këngëtarit është Nikos Vertis, por emrin e vërtetë e ka Nikos Arvanitidis. Për të gjithë arvanitasit, por edhe për ata që njohin historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe raportet tona, mbiemri yt është një kujtesë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë. Edhe me gjithë ‘cic-micet’ e politikës, arti, muzika dhe bashkëjetesa e kombeve tona janë gjëja më e rëndësishme,” u shpreh Veliaj.

Këngëtari grek nuk la pa vënë në dukje faktin se sa përshtypje i ka bërë Tirana. “Është dita e parë, por ju e dini që përshtypja është e mrekullueshme, kryebashkiaku juaj është një person që mund ta ndryshojë qytetin. Mesa shoh, ju jeni shumë me fat që keni këtë kryebashkiak, që ka një vizion për të rinjtë dhe zhvillimin e qytetit. Herën tjetër që do të vijmë këtu, ky qytet do të jetë një surprizë e madhe për ne”, tha artisti i mirënjohur.

Me një karrierë mjaft të suksesshme, në mbarë botën, Nikos Vertis është i njohur sidomos për hitin “Thelo na me nioseis”, që sot shënon 195 milionë klikime në YouTube, duke u bërë kënga greke më e dëgjuar, por edhe për koncertet e tij në shumë vende të botës.

SHKARKO APP